Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. FOTO: Screenshot/Benjamin Netanyahu/Facebook.
Netanyahu kërkon falje për dështimin e kthimit të pengjeve
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka kërkuar falje izraelitëve për dështimin për kthimin e gjashtë pengjeve të gjetur të vdekur në Gazë, derisa “Hamasi” ka paralajmëruar se “familjeve do t’u kthehen në qefinë” edhe shumë të tjerë nëse nuk arrihet marrëveshja për armëpushim, raporton BBC.
Komentet e tij kanë ardhur në kulmin e protestave në rrugë kundër mënyrës së tij të menaxhimit të negociatave. Izraeli është përballur të shtunën (02.09.2024) me natën e dytë të protestave.
Presioni është rritur edhe nga jashtë derisa Mbretëria e Bashkuar ka suspenduar shitjen e disa llojeve të armëve Izraelit, duke cituar rrezikun që armatimit mund të përdoret në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Por kryeministri izraelit ka mbajtur qëndrim të sertë, duke ngulmuar se trupat e tij duhet të kontrollojnë Korridorin Philadephi të Gazës – një rrip i rëndësishëm strategjik toke që është kthyer në pengesën më të madhe në negociatat me “Hamasin”.
Mijëra izraelitë kanë marrë pjesë në protestat e së hënës, të organizuara nga familjet e pengjeve për të shprehur zemërimin e tyre pas dështimit të Netanyahut për t’i kthyer në vendlindje më të dashurit e tyre edhe pas pothuajse njëmbëdhjetë muajsh.
“The Times of Israel” ka shkruar se policia ka përdorur agresion të konsiderueshëm në njërën prej protestave të mbajtura para shtëpisë së kryeministrit në Jerusalem, përfshirë shtyrjen e dhunshme të protestuesve. Madje disa sosh janë hedhur përtokë dhe janë tërhequr zvarrë.
Të dielën ka nisur një valë e madhe protestash e grevash kundër Qeverisë së Netanyahut, derisa 97 pengje, të rrëmbyera nga “Hamasi” më 7 tetor, vazhdojnë të mbesën në duart e militantëve të grupit palestinez. “Hamasi” ka paralajmëruar të hënën se pengjet do të kthehen “brenda qefinëve” nëse ushtria izraelite vazhdon sulmet. “Hamasi” ka bërë të ditur se militantëve u janë dhënë instruksione të reja veprimi nëse konsiderojnë se ushtria izraelite u është afruar për t’i liruar.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com