Në luftë, Ukraina sot shënon 31-vjetorin e pavarësisë

Ukraina po përgatitet për sulme të mundshme brutale sot kur shënon ditën e saj të pavarësisë dhe 31 vjet nga fundi i sundimit sovjetik.

Autoritetet ukrainase i kanë anuluar festimet në Kiev pasi zyrtarët e atjeshëm paralajmërojnë se Rusia po përgatitet ta sulmojë kryeqytetin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka informacion nga shërbimet e inteligjencës të Ukrainës dhe partnerët ndërkombëtarë se ekzistonte një kërcënim në rritje pasi SHBA-të thanë se besojnë se Rusia do ta shënjestrojë infrastrukturën civile dhe qeveritare në ditët e ardhshme. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës i këshilloi ukrainasit që të jenë veçanërisht të kujdesshëm, duke përmendur kërcënimin e sulmeve me raketa dhe “provokimet” nga Rusia.

Shumë civilë po përpiqen të largohen nga Kievi mes frikës së një sulmi rus, sipas një këshilltari të presidentit të Ukrainës. Alex Rodnyansky tha se njerëzit janë të shqetësuar dhe se ka “sigurisht një shqetësim” se një sulm mund t’i godasë qendrat e vendimmarrjes në kryeqytetin ukrainas të mërkurën. Rusia dhe regjimi i Putinit “janë vërtet të fiksuar pas datave dhe simboleve, kështu që do të ishte logjike të jemi në vëzhgim dhe të përgatitemi për ditën e pavarësisë që Kievi do të sulmohet”, tha Andriy Yusov, shefi i drejtorisë së inteligjencës së ministrisë.

Zelensky e ka paralajmëruar Rusinë për një përgjigje të fortë ndaj çdo sulmi të mundshëm në ditën e pavarësisë. Inteligjenca ukrainase po punon me inteligjencën e huaj, tha ai në një konferencë shtypi të martën, duke paralajmëruar se Rusia “do ta marrë një përgjigje, një përgjigje të fuqishme”. Zelenskiy tha gjithashtu se Ukraina nuk do të pajtohet me asnjë propozim për t’i ngrirë vijat aktuale të frontit në konfliktin e saj me Rusinë, në mënyrë që ta “qetësojë” Moskën, e cila tani kontrollon rreth 22% të Ukrainës, përfshirë Krimenë.

Zelenskiy gjithashtu u zotua t’i kthejë Krimenë Ukrainës, duke thënë se ajo do të bëhet pjesë e BE-së, së bashku me pjesën tjetër të vendit. “Ne do ta kthejmë Krimenë, sepse është territori ynë. Në çdo mënyrë vendosim ne. Ne do ta vendosim vetë, pa u konsultuar me asnjë shtet tjetër”, tha ai. Gjithçka filloi me Krimenë dhe do të përfundojë me Krimenë.

Ukraina nuk është gati për negociata me Rusinë në lidhje me një armëpushim, tha Zelensky. “Në pikën ku jemi, nuk jemi gati për një armëpushim. Ne shpjeguam se nuk do të ketë Minsk-3, Minsk-5 ose Minsk-7. Nuk do t’i luajmë këto lojëra, ne kemi humbur një pjesë të territoreve tona në këtë mënyrë … është një kurth, ” tha ai gjatë një konference për shtyp pas një samiti të Platformës së Krimesë në Kiev.

Ofensiva e Donbasit e Rusisë po shënon progres minimal dhe forcat e saj po vuajnë nga mungesa e municioneve, automjeteve dhe personelit, sipas inteligjencës britanike.

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së do ta vizitojë termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia-s të pushtuar nga Rusia në Ukrainë “brenda ditëve të ardhshme nëse negociatat në vazhdim do të kenë sukses”, tha ajo në një deklaratë të martën.

Drejtoria e inteligjencës e Ukrainës pretendon se Rusia po përpiqet t’i bombardojë “gropat e hirit” të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës për t’i “ngrerë retë e pluhurit radioaktiv”. Në një përditësim të postuar në kanalin zyrtar Telegram të agjencisë vonë mbrëmë, zyrtarët thanë se sulmet me mortaja në periferitë përreth Energodar kishin si synim t’i targetonin gropat e hirit të uzinës.

Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë publike një paketë të re të asistencës së sigurisë për Ukrainën prej rreth 3 miliardë dollarësh, kanë thënë zyrtarët amerikanë, për ta pajisur Ukrainën për një luftë shkatërrimi dhe për të siguruar qëndrimin e saj të mbrojtjes afatmesme dhe afatgjatë. Paratë do të financojnë kontrata për tri lloje dronësh dhe armë të tjera, municione dhe pajisje që mund të mos e shohin frontin e betejës për një ose dy vjet, thanë zyrtarët amerikanë për Associated Press.

Gjermania do ta furnizojë gjithashtu Ukrainën me 500 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake, pjesa më e madhe e saj e destinuar për dorëzim vitin e ardhshëm, tha një zëdhënës i qeverisë të martën. Pajisjet do të përfshijnë tri sisteme anti-ajrore IRIS-T, “rreth një duzinë automjetesh të armatosura për rikuperim, 20 raketahedhës të montuara në kamionçinë … municione precize dhe pajisje anti-drone”, tha një zëdhënës për Agence France-Presse.

Norvegjia dhe Britania po i bashkojnë forcat për ta blerë mikro-dronin norvegjez Black Hornet për ta dërguar në Ukrainë. Paketa – me një kosto deri në rreth 9.5 milion euro – përfshin njësi Black Hornet, pjesë këmbimi, transport dhe trajnim dhe do të financohet nga fondi i udhëhequr nga Britania në të cilin Norvegjia ka kontribuar 41 milionë euro, sipas një deklarate. lëshuar nga ministria norvegjeze e mbrojtjes të mërkurën.

Autoritetet ruse thuhet se kanë arrestuar politikanin e Anti-Kremlinit, Yevgeny Roizman, pasi kishte folur kundër fushatës ushtarake të Putinit në Ukrainë, sipas raporteve të mediave ruse. Roizman, një ish-kryetar i bashkisë së qytetit të Yekaterinburgut, po hetohet për “diskreditim të ushtrisë ruse”, njoftoi agjencia shtetërore ruse e medias Tass, duke cituar shërbimet e sigurisë në Yekaterinburg./The Guardian