Me sulmin e befasishëm në Kursk, Ukraina e poshtëron Putinin

Vladimir Putin i nguli sytë komandantit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjeneralit Valery Gerasimov, me një vështrim të ftohtë akull. Xhirimi i publikuar prej Kremlinit të mërkurën më 07.08.2024, tregoi se presidenti nuk ishte i kënaqur me lajmet që po vinin nga rajoni i Kurskut, raporton CNN.

Në ato çaste, qindra trupa ukrainase, të mbështetura nga tanket dhe të mbrojtura nga mbrojtja ajrore, po avanconin në rajon. Ushtarët rusë po dorëzoheshin: qindra civilë rusë në dhe përreth qytezës së Sudzhas po arratiseshin me pak plaçka në duar.

Qe dy vjet e gjysmë prejse ka filluar agresioni i Rusisë në Ukrainë, po ndodhte inkursioni i pashembullt ukrainas në Rusi. Putini deklaronte në një takim në Kremlin se ky ishte “një tjetër provokim i madh” i Kievit. Guvernatori në detyrë i rajonit shpalli gjendje të jashtëzakonshme, duke e përshkruar situatën si “shumë të vështirë”.

Mbi të gjitha ishte poshtëruese për shtetin rus që krekoset se po e mbron atdheun e vet.

Sulmi në Kursk ishte një lëvizje e guximshme nga ushtria ukrainase, aso që analistët e kanë përshkruar “ndërmarrje të gjësë më së paku të dukshme’.

Megjithëse ka humbur goxha shumë terren në Donetsk, ushtria ukrainase zgjodhi të niste brigadat më të regjura në territorin rus, me qëllimet e qarta të poshtërimit të Kremlinit dhe ta detyrojë Ministrinë ruse të Mbrojtjes të ridestinojë burimet dhe të ofrojë një burim të ri moral në vendlindje, më i domosdoshëm se kurrë.

George Barros nga Instituti për Studimin e Luftës, me seli në Uashington, i ka thënë televizionit CNN “ia dolën të befasonin në mënyrë operative kundrejt të gjitha vështirësive dhe aktualisht po shfrytëzojnë mungesën e gatishmërisë së Rusisë në zonat e saj kufitare”. )(E njëjta taktikë kishte funksionuar edhe në shtatorin e vitit 2022 kur kishin kthyer rajonin e pushtuar të Kharkivit brenda një jave.)

Regjimenti rus i ngarkuar me detyrën për mbrojtjen e kësaj pjese kufitare braktisi pozicionet e veta. Shumë ushtarë u kapën peng, duke e bërë presidentin Volodymyr Zelensky të shprehte “mirënjohje të veçantë për luftëtarët dhe njësitet ukrainase” për kapjen e pengjeve ushtarake, me qëllim që të përdoren për të ndihmuar shkëmbimin me qytetarët ukrainas, pengje në duar të rusëve.

Brigadat ukrainase ia kanë dalë që të futen rreth 20 kilometra në thellësi të rajonit të Kurskut në dy ditët e para të operacionit. Inteligjenca e mirë ua mundësoi njësiteve të avanconin edhe më në thellësi në një fushëbetejë kaotike, shpesh duke kaluar mbrojtjet ruse. Deri të premten, autoritetet ruse kanë humbur kontrollin e një hapësire prej 250 kilometrash katrorë, tregojnë analizat e pavarura dhe të dhënat nga hartëzimi i CNN-it.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com