Macron: Unë besoj tek NATO

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se koncepti i tij mbi “autonominë strategjike evropiane” në sektorin e mbrojtjes nuk nënkuptonte se ai dëshironte të largohej nga Shtetet e Bashkuara, por siç tha ai, kjo do ta bënte Evropën një partnere më të besueshme dhe do ta forconte NATO-n.

Unë besoj tek NATO“, tha zoti Macron gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ndërsa ka kaluar më shumë se një vit nga konfuzioni që shkaktoi mes anëtarëve të tjerë të aleancës ushtarake transatlantike, kur tha se NATO “po përjetonte një vdekje të trurit”.

Unë besoj se NATO ka nevojë për një vrull të ri politik dhe sqarim të konceptit të saj strategjik. NATO ka nevojë për një qasje më politike“, shtoi ai.

Që nga zgjedhja e tij në 2017, zoti Macron ka kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë i pavarur kur bëhet fjalë për sigurinë dhe të mos mbështetet më vetëm në mbrojtjen ushtarake që siguron SHBA-ja, të trashëguar nga Lufta e Dytë Botërore.

Komentet e tij mbi “vdekjen e trurit” të NATO-s, së bashku me vendimin e tij për të kërkuar më shumë bashkëpunim me Presidentin rus Vladimir Putin, shkaktuan shqetësim mes disa aleatëve evropianë, veçanërisht në Evropën Lindore, që i shohin Shtetet e Bashkuara si mburojën e vetme të besueshme ndaj Rusisë fqinje.

Unë besoj se përfshirja më e mirë e mundshme e Evropës brenda NATO-s është të jetë më shumë përgjegjëse për garantimin e sigurisë së vet“, tha zoti Macron të premten.

E gjithë kjo do ta bënte NATO-n “edhe më të fortë se më parë”, shtoi udhëheqësi francez. VOA