Lufta Rusi-Ukrainë: Kievi mund të përballet me mbyllje të plotë" të rrjetit të energjisë

Sulmet me raketa ruse e kanë gjymtuar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës, njofton qeveria në Kiev, pasi autoritetet paralajmëruan se qyteti mund të përballet me një “mbyllje të plotë” të rrjetit të energjisë me fillimin e dimrit.

Me temperaturat në rënie dhe me borën e parë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, zyrtarët e atjeshëm po punojnë për ta rivendosur energjinë në mbarë vendin pas disa prej bombardimeve më të rënda të infrastrukturës civile ukrainase në luftë. OKB thotë se mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit në Ukrainë kërcënon një katastrofë humanitare.

Volodymyr Zelenskiy e ka hedhur poshtë idenë e një “armëpushimi të shkurtër” me Rusinë, duke thënë se kjo vetëm do t’i përkeqësonte gjërat. “Rusia tani po kërkon një armëpushim të shkurtër, një pushim për të rifituar forcë,” tha presidenti ukrainas në fjalimin e transmetuar në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax. “Dikush mund ta quajë këtë fundi i luftës, por një pushim i tillë vetëm sa do ta përkeqësojë situatën.”

Qindra ukrainas u arrestuan dhe u rrëmbyen në Kherson pasi Rusia pushtoi provincën, si dëshmi e një fushate të planifikuar, ka thënë Conflict Observatory, një grup i Universitetit Yale që studion krimet e luftës. Ky grup thotë se ka dokumentuar 226 ndalime jashtëgjyqësore dhe zhdukje të detyruara në Kherson. Rreth një e katërta e këtij numri dyshohet se iu nënshtruan torturës dhe katër vdiqën në paraburgim.

Kremlini zyrtar i ka akuzuar ushtarët ukrainas për ekzekutimin e më shumë se 10 të burgosurve rusë të luftës pas qarkullimit të një videoje në mediat sociale që pretendohet të jetë nga vija e frontit. Pamjet duket se tregojnë ushtarët rusë që dalin nga një ndërtesë në truallin e një shtëpie me duart e tyre mbi kokat e tyre përpara se t’u thuhet të shtrihen me fytyrë përtokë. Njëri nga burrat, teksa del nga ndërtesa, duket se po kthen armën kundër ushtarëve ukrainas. Pamjet sugjerojnë se të gjithë rusët u vranë në dhunën që pasoi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, bisedoi me Volodymyr Zelenskiy dhe ata uruan njëri-tjetrin për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave të ndërmjetësuar nga OKB-ja, tha zyra e Erdoganit. Erdogan i tha Zelenskiyt se me “zgjerimin e këtij mirëkuptimi në tryezën e negociatave” do të përfitojnë të gjitha palët.

Qeveria holandeze do ta thërrasë ambasadorin rus në Holandë për përgjigjen e Rusisë ndaj vendimit në gjyqin për rrëzimin e fluturimit të pasagjerëve MH17 në vitin 2014, njoftoi agjencia e lajmeve ANP, duke e cituar ministrin e Jashtëm, Wopke Hoekstra. Rusia e ka kritikuar vendimin e gjykatës holandeze për të dënuar dy ish-agjentë të inteligjencës ruse dhe një lider separatist ukrainas.

Ekspertët ukrainas po punojnë në lokacionin në zonën kufitare të Polonisë juglindore ku një raketë vrau dy persona, tha ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. Ai shkroi në Twitter se Ukraina do të vazhdojë me bashkëpunimin “ehapur dhe konstruktiv” me Poloninë për incidentin.

Polonia nuk do t’i japë viza delegacionit rus për të marrë pjesë në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Lodz më 1 dhe 2 dhjetor.

Vladimir Putin diskutoi krijimin e një “qendër gazi” turke me Erdoganin, thuhet në një njoftim të Moskës zyrtare  të premten. “Vëmendje e veçantë i kushtohet perspektivës së zbatimit të iniciativës, të nisur nga presidenti rus në tetor dhe të mbështetur nga Recep Tayyip Erdoğan.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia duket se po përgatitë mbrojtje për përparime të mëtejshme të mëdha ukrainase në provincën Donetsk.

Ndërtimi i një gardhi të planifikuar me tela me gjemba përgjatë kufirit të gjatë të Finlandës me Rusinë do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, thanë zyrtarët e rojeve kufitare finlandeze, mes shqetësimeve për ndryshimin e mjedisit të sigurisë në Evropë./The Guardian