Presidenti francez, Emmanuel Macron - Foto: Facebook

Liderët botërorë urojnë Macronin për rizgjedhje

Udhëheqësit botërorë uruan presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për rizgjedhjen e tij në zgjedhjet e së dielës.

“Ne mund të mbështetemi te Franca edhe për pesë vjet të tjerë”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Twitter.

“Franca është aleatja jonë më e vjetër dhe një partnere kyçe në adresimin e sfidave globale”, shkroi presidenti amerikan, Joe Biden, në Twitter.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se votuesit francezë “kanë dhënë një votë të fortë besimi për Evropën”. “Jam i lumtur që do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mirë”, tha ai.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e cilësoi Francën si një nga aleatët më të afërt dhe më të rëndësishëm.

“Mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për çështjet që kanë shumë rëndësi për dy vendet tona dhe për botën”, tha Johnson në mesazhin e urimit për Macronin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka biseduar disa herë me Macronin qëkur Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij më 24 shkurt, tha se ka uruar homologun francez gjatë një bisede telefonike.

“E vlerësoj mbështetjen e tij dhe jam i bindur se po ecim së bashku drejt fitoreve të reja të përbashkëta”, shkroi Zelensky në Twitter.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha se fitorja e Macronit është një “shprehje e madhe e demokracisë liberale në një kohë të pasigurt”.

Macron, pro-evropian, mundi rivalen e ekstremit të djathtë, Marin Le Pen, në rundin e dytë të zgjedhjeve, që u mbajt të dielën.

Sipas rezultateve zyrtare, ai fitoi rreth 58.6 për qind të votave, ndërsa Le Pen 41.4 për qind.

Macron, 44 vjeç, është presidenti i parë i Francës – në 20 vjet – që rizgjedhet. Në vitin 2002, Jacques Chirac është rizgjedhur po ashtu./REL