Largimi i Assad-it, reagime rreth zhvillimeve në Siri

Udhëheqësi rebel sirian Abu Mohammed al-Jawlani iu drejtua turmave brohoritëse në një xhami të Damaskut disa orë pasi ish-presidenti i Sirisë Bashar al-Assad u largua nga kryeqyteti, raporton BBC. 

Grupi i Al-Jawlanit, HTS, përfshiu kryeqytetin sirian këtë fundjavë ndërsa forcat e Asadit u shembën.

“Kjo fitore është e të gjithë sirianëve” – i tha turmave, Abu Mohammed al-Jawlani.

Ndërkaq, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, thotë se rënia e “diktaturës mizore” të presidentit Bashar al-Assad do të ofrojë mundësi, por “jo pa rreziqe”.

Ajo thotë se Europa do të ndihmojë në ruajtjen e “unitetit kombëtar” dhe rindërtimin e “një shteti sirian që mbron të gjitha pakicat”.

“Ne po angazhohemi me liderët europianë dhe rajonalë dhe po monitorojmë zhvillimet”-  shton ajo.

Kurse, Rusia thotë se Assad u largua pas bisedimeve me “pjesëmarrës të tjerë në konflikt”. Ministria e Jashtme ruse ka thënë se presidenti i rrëzuar sirian Bashar al-Assad u largua nga posti i tij dhe vendi pas negociatave me “pjesëmarrësit e tjerë në konfliktin e armatosur” dhe dha udhëzime për një transferim paqësor të pushtetit, raporton BBC.

Ajo këmbëngul se Rusia nuk ishte e përfshirë në ato negociata dhe se bazat e saj ushtarake në Siri janë në gatishmëri të lartë, por jo nën kërcënim.

Rusia deklaron se është në kontakt me “të gjitha grupet në opozitën siriane”.

Rusia kishte qenë një aleat kyç i Assadit, duke i ofruar më parë ndihmë ushtarake për të qëndruar në pushtet.

Udhëheqësit perëndimorë po e mirëpresin rënien e regjimit të Asadit në Siri. Presidenti francez Emmanuel Macron postoi në rrjetet sociale: “Shteti barbar ka rënë. Më në fund.

“I bëj nderim popullit sirian, guximit të tij, durimit të tij. Në këtë moment pasigurie, u dërgoj atyre urimet e mia për paqe, liri dhe unitet. Franca do të mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së të gjithëve në Lindjen e Mesme. ”

Kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti rënien e Asadit “lajm të mirë” dhe kërkoi një zgjidhje politike për të stabilizuar Sirinë, sipas AFP.

“Bashar al-Assad shtypi popullin e tij brutalisht. Ai ka jetë të panumërta në ndërgjegjen e tij dhe ka shtyrë shumë njerëz të ikin, shumë prej të cilëve kanë mbërritur në Gjermani,” tha Scholz, sipas agjencisë së lajmeve.

Zëvendëskryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Angela Rayner tha se nëse regjimi i Asadit ka rënë, atëherë qeveria “e mirëpret atë lajm”.

Ofensiva e befasishme nisi javën e kaluar nga një koalicion i grupeve të rebelëve. Ofensiva udhëhiqet nga HTS-ja.

Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën, edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.

Më 06.12.2024, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona mund të detyrohen të zhvendosen, teksa rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assadit, por edhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.

Assadi është varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që kur shpërtheu konflikti më 2011.

Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata morën edhe qytete të tjera të mëdha, teksa forcat e Asadit bënë pak rezistencë./BBC

Rebelët sirianë thonë se kanë marrë Damaskun, s’dihet vendndodhja e Assadit