Lojerat Olimpike Paris 2024, 27.07.2024, foto Olympics FB
Kryeministri rumun bojkoton përmbylljen e Lojërave Olimpike në Paris në shenjë proteste
Kryeministri rumun, Marcel Ciolacu, po refuzon të marrë pjesë në ceremonminë e përmbylljes së Lojërave Olimpike në Paris në shenjë proteste për shkak se gjatë javës dy gjimnaste rumune nuk ia dolën të fitonin medalje, raporton CNN.
Cioalcu ka thënë në një deklaratë se Ana Barbosu dhe Sabrina Maneca-Voinea, u trajtuan “në një mënyrë absolutisht të pandershme” prej gjyqtarëve në finalen e garës së gjimnastikës. Barbosu përfundoi e katërta në një garë me konkurrencë të fortë me vendime që përfshin performancën e gjimnastes amerikane, Jordan Chiles dhe Maneca-Voinean, e cila u penalizua me një pikë pse kishte dalë nga hapësira e kornizuar, megjithëse ajo nuk dukej se i kishte kaluar kufijtë.
Dhe ishte përvoja e Barbosus ajo që e ka shqetësuar kryeministrin rumun. Gjimnastja rumune u mendua se kishte fituar medaljen e bronztë pasi Chiles mbaroi përformancën e saj, të fundit të ditës.
Amerikania bëri më të mirën e mundshme, por u gjykua me 13.666 pikë, me të cilat renditej e pesta. Por trajnerët apeluan vendimin dhe doli se kishin të drejtë. Një tjetër pikë iu shtua pas rishikimit, mjaftueshëm sa për të marrë vendin e tretë.
Ndryshimi i pikëve ishte i mjaftueshëm që Barbosu të mos ngjitej në podium dhe të zbriste në vendin e katërt, një vendim që e zhgënjeu gjimnasten rumune, por që ishte vendimtar për ngjitjen e Chiles në podium.
Ciolacu ka thënë se veprimi i gjyqtarëve ishte i papranueshëm.
“Kam vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Olimpiadës së Parisit pas situatës skandaloze në gjimnastikë, ku atletet tona u trajtuan në një mënyrë absolutisht të pandershme. T’i tërhiqet medalja e fituar me punë të ndershme mbi bazën e një apeli, të cilin nuk e kuptojnë as trajnerët e as teknikët, është totalisht e papranueshme”, ka thënë ai.
Ai ka vënë në dyshim edhe rregullsinë e procesit të organizimit dhe vlerësimit të kësaj kategorie garashg në Olimpiadë, duke thënë se “shikuesit nga mbarë bota u tmerruan” prej këtij vendimi.
Chiles ka thënë më vonë se nuk kishte ide se çfarë po ndodhte pas vlerësimit fillestar pasi ishte dërmuar nga fakti se nuk kishte shënuar pikë për të marrë medalje. Madje nuk e kishte parë se trajenrët kishin apeluar vendimin fillestar të jurisë.
“Isha aq e lodhur saqë nuk e pashë se trajnerët po e prisnin rishikimin dhe isha në asi gjendje, ‘në rregull, le ta shohim, mund të ndryshojë’”, ka deklaruar ajo. “Kështu që kur doli, isha shumë krenare me veten. E dini, është pjesëmarrja ime e parë në një finale dhe medalja ima e parë, andaj është çmenduri. Prandaj isha shumë krenare me veten”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com