Ilustrim

Kryeministri japonez paralajmëron dorëheqjen në shtator

Kryeministri japonez, Rumio Kishida, në një vendim të papritur të mërkurën, ka thënë se nuk do të garojë për lidershipin e partisë në votimin e shtatorit, duke hapur rrugën që Japonia të bëhet me një kryeministër të ri, raporton AP.

Kishida ishte zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike Liberale në pushtet më 2021 dhe mandati i tij skadon në shtator. Kushdo që do ta fitojë garën partiake për kryetar, pritet ta pasojë Kishidan në postin e kryeministrit të shtetit të Lindjes së Largët. Liberaldemokratët aktualisht kontrollojnë dy dhomat e parlamentit japonez. Një figurë e re pritet të dalë në krye të partisë që po mundohet të bëjë ndryshime pozitive. Kishida e ka konfirmuar se nuk do të kërkojë përkrahjen për një tjetër mandat, por është zotuar se do ta përkrahë liderin e ri.

“Ne duhet të tregojmë qartazi një rilindje të LDP-së”, ka deklaruar Kishida në një konferencë për media të mërkurën. “Me qëllim që të dëshmojmë një LDP që po ndryshon, hapi i parë i qartë që duhet të ndërmarr unë është që të tërhiqem”.

“Nuk do të garoj në zgjedhjet e ardhshme për lidershipin partiak”, ka thënë ai.

I gozhduar për shkak të skandaleve të korrupsionit të partisë, Kishida ka pësuar rënie të theksuar të mbështetjes popullore nën 20 për qind.

Me qëllim të jetësimit të politikave për ofrimin e zgjidhjeve për situata të vështira brenda dhe jashtë Japonisë, sigurimi i besimit publik është jetik, ka thënë Kishida. Ai u ka bërë thirrje deputetëve aspirues të partisë që të shpallin kandidaturën për kryesimin e partisë dhe të hapin debatin partiak para zgjedhjeve të shtatorit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com