
Koreja e Jugut urdhëron inspektim të linjave ajrore pas aksidentit të rëndë
Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok urdhëroi të hënën një inspektim urgjent mbi sigurinë e të gjitha linjave ajrore të vendit. Vendimi vjen ndërsa vazhdon puna për të identifikuar viktimat, si edhe për të zbuluar se çfarë e shkaktoi katastrofën më vdekjeprurëse ajrore që ka prekur Korenë e Jugut.
Si pasojë e aksidentit të rëndë, humbën jetën 179 persona, 175 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Vetëm dy persona, anëtarë të ekuipazhit arritën t’i mbijetojnë aksidentit.
Avioni Boeing bëri një ulje emergjente në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar “Muan”. Pamjet filmike treguan mjetin fluturues duke rrëshqitur me shpejtësi në pistë, i cili përplaset më pas në një mur betoni e shpërthen në flakë.
Prioritet për momentin është identifikimi i viktimave, mbështetja e familjeve të tyre dhe trajtimi i dy të mbijetuarve – tha zoti Choi, në një takim mbi menaxhimin e fatkeqësive në Seul.
“Edhe para se të dalin Rezultatet përfundimtare, ne do të kërkojmë që zyrtarët të bëjnë transparencë mbi procesin e hetimit dhe të informojnë menjëherë familjet e viktimave.” – tha ai.
Ministria e Transportit njoftoi planet për të kryer një inspektim të posaçëm të 101 avionëve “Boeing 737-800” që operohen nga linjat ajrore të Koresë së Jugut, duke filluar nga dita e hënë – duke u përqendruar te mirëmbajtja e tyre.
Ka ende shumë të panjohura se çfarë e shkaktoi aksidentin e së dielës.
Hetuesit po shqyrtojnë nëse përplasja me një tufë zogjsh ishte arsyeja se piloti humbi kontrollin e avionit.
Piloti kishte njoftuar se avioni ishte përplasur me shpendë dhe incidenti u shpalos disa minuta, ndërsa edhe kulla e kontrollit e aeroportit kishte lëshuar një paralajmërim mbi rrezikun e përplasjes me shpendë.
Mbetet gjithashtu e paqartë se pse nuk ishin aktivizuar rrotat e uljes së avionit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një grup hetuesish për të ndihmuar në përcaktimin e shkaqeve të rrëzimit të avionit dhe përplasjes së tij në një mur betoni./VoA