Ilustrim

Izraeli tërhiqet nge Jenini pas operacionit të madh

Forcat izraelite janë tërhequr nga qyteti i Jeninit dhe nga kampi i tij i refugjatëve në Bregun e pushtuar Perëndimor pas një operacioni të madh prej nëntë ditësh atje, raporton BBC.

Zona – bastion i militantëve dhe me një popullsi civile prej rreth 60 mijë banorësh, ishte shënjestruar në njërin prej aksioneve më të mëdha të Forcave Izraelite të Mbrojtjes (IDF) në Bregun Perëndimor për vite me radhë. IDF-ja ngulmonte se po kryente operacion kundër terrorizmit.

Së paku 36 palestinezë u vranë prej të cilëve 21 prej rrethinës së Jeninit, ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Shumica e të vdekurve pretendohet prej grupeve të armatosura se ishin anëtarë të tyre, por Ministria palestineze njofton se në mesin e tyre kishte edhe fëmijë.

Një ushtar izraelit është vrarë gjatë luftimeve në Jenin.

Qyteti Tubas dhe kampi i refugjatëve Al-Faraa janë përballur gjithashtu me aksione gjatë operacionit në mbarë Bregun Perëndimor – në më vdekjeprurësin të këtij lloji prej nisjes së luftës së Izraelit në Gazë pas sulmit të tetorit të kryer nga “Hamasi” brenda territorit izraelit.

Qindra trupa nga shumë degë të forcave të sigurisë ishin përfshirë, me civilët që ishin ngujuar në shtëpitë e tyre dhe me shërbimet e ndërprera derisa ushtria izraelite po luftonte me militantët në terren dhe me sulme ajrore.

Banorët në kampin e Jeninit në perëndim të qytetit kanë nisur të dalin rrugëve për herë të parë prejse IDF-ja nisi aksionin e madh më 27 gusht.

Shumë prej tyre, të lodhur dhe të rraskapitur, kanë nisur ngadalë të vlerësojnë dëmet e shkaktuara.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 29.08.2024 i bëri thirrje Izraelit që menjëherë të ndalte operacionin e tij, duke theksuar se “po e përndez situatën tashmë eksplozive”.

Ai i kërkoi Izraelit që “të tregojë përmbajtje maksimale dhe të përdorë forcë vdekjeprurëse vetëm kur është e pashmangshme”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com