Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Hulumtimi i 'Copernicus': Vera e vitit 2024, më e nxehta në historinë e Tokës

Vera e 2024-ës ishte më e nxehta e Tokës prejse regjistrohen temperaturat, ka bërë të ditur Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus.

Sipas tyre, kjo verë shte më e nxehta në mbarë Europën me 1.51 shkallë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020, duke rritur rekordin e mëhershëm të vitit 2022, ka shkruar BBC.

Gushti ishte gjithashtu muaji i trembëdhjetë në një periudhë prej 14 muajsh në të cilën temperatura mesatare globale ishte për 1.5 shkallë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Pavarësisht se Britania e Madhe kishte verën më të freskët prej vitit 2015, shumica e Europës përjetoi verë më të nxehtë se mesatarja.

Deri tani sivjet, temperatura globale mesatare ka qenë për 0.7 shkallë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020, që është rekordi më i lartë.

Andaj ka gjasë që viti 2024 të jetë më i nxehti që bota ka regjistruar ndonjëherë, ka njoftuar “Copernicus”, që është mekanizëm i klimës i Bashkimit Europian.

Vetëm vjet temperatura mesatare botërore arriti shkallën më të lartë rekorde.

Në mbarë botën, njerëzimi është përballur me valë të të nxehtit dhe me mot ekstreme me ndikime të mëdha.

Drejtoresha “Copernicus”, Samantha  Burgess, ka thënë se “zhvillimet të lidhura me temperaturën ekstreme kanë dëshmuar se kjo verë do të jetë vetëm më e ngjeshur me zhvillime të ngjashme”.

Në mbarë Europën, sivjet janë thyer rekordet e temperaturave verës. Austria pati verën më të nxehtë që është regjistruar ndonjëherë.

Spanja kishte gushtin më të nxehtë ndonjëherë, sikur se edhe Finlanda, derisa Zvicra njoftoi se ishte gushti i dytë më i nxehtë në historinë e saj.

Përderisa vapa në mbarë Europën ishte fokusuar në zonat jugore dhe lindore, më freskët ishte në Republikën e Irlandës, Mbretërinë e Bashkuar, pjesët perëndimore të Portugalisë, Islandës dhe Norvegjisë jugore.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com