Foto: Facebooku i Kamala Harrist
Harris vendos të jap intervistën e parë si kandidate për presidente
Zëvendëspresidentja amerikan, Kamala Harris, ka ndarë mendjen që intervistën e parë në studio pasi mori mbështetjen si kandidate partiake për garën presidenciale, ta zhvillojë në televizionin CNN, raporton “Politico”.
Harris dhe bashkëgaruesi i saj, guvernatori i Minnesotas, Tim Walz, do të përballen me pyetje nga gazetarja Dana Bash në një intervistë që pritet të zhvillohet të enjten(29.08.2024) në orën 21:00 sipas kohës lokale amerikane. Intervista do të zhvillohet në Georgia derisa zëvendëspresidentja është në një turne meautobus në këtë shtet amerikan, që llogaritet në mesin e shteteve të pavendosura elektoralisht.
Harris ka ngjallur kritika në mesin e kundërshtarëve të saj republikanë se po refuzon të ulet në studio televizive për një intervistë zyrtare prejse Joe Biden u tërhoq nga gara për rizgjedhje dhe e mbështeti atë, megjithëse ajo vazhdimisht u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në shkëmbime të atypëratyshme.
Donald Trump dhe bashkëgaruesi i tij, senatori i Ohios, JD Vance, kanë rritur praninë e tyre në media dhe konferenca për media si pjesë e strategjisë për të spikatur kontrastin ndërmjet dy fushatave.
Njoftimi i CNN ka ardhur pasi Harris, kishte premtuar në fillim të muajit se do të aranzhonte një intervistë kah fundi i gushtit. Prej kohës së deklaratës së saj, anëtarët e stafit të fushatës së saj janë vërshuar me kërkesa nga organizatat mediatike dhe reporterët se kush do të jetë nikoqir i intervistës në studio.
Intervista do të jetë mundësia e parë për kandidatët që t’u përgjigjen hollësisht pyetjeve për politikat e tyre.
Historia e Harrisit me intervistat për media ka qenë e përzier, duke datuar prej një interviste të vitit 2021 për NBC me Lester Holtin kur ai e kishte pyetur se pse nuk e kishte vizituar kufirin prej marrjes së detyrës si zëvendëspresidente. Harris, e cila ishte ngarkuar nga presidenti Biden që të merrej me adresimin e shkaqeve të themelta të emigracionit, ishte sprapsur duke thënë se nuk e kishte vizituar as Evropën. Fushata e Trumpit e ka përdorur klipin e intervistës në një reklamë sulmuese kur Harris bëri të ditur se ishte e gatshme ta merrte stafetën prej Bidenin për garën presidenciale.
Në intervistën e fundit që Harris kishte marrë pjesë, kishte reagime më të mira prej demokratëve, sidomos pas intervistës së saj në CNN menjëherë pas debatit ndërmjet Bidenit dhe Trumpit, ku Harris kishte adresuar përformancën katastrofale të Bidenit në debat.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com