“Hamasi” jashtë bisedimeve për armëpushim, Irani shqyrton sulmin ndaj Izraelit
Grupi islamik palestinez, “Hamas”, ka bërë të ditur të mërkurën se nuk do të jetë pjesë e raundit të ri të bisedimeve për armëpushim në Gazë, të planifikuar të enjten në Katar, duke zbehur shpresat për armëpushim, për të cilin iranianët thonë se do të frenonin Iranin nga sulmi ndaj Izraelit, raporton Reuters.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se presin vazhdimin e bisedimeve indirekte në kryeqytetin e Katarit të enjten, dhe se marrëveshja e armëpushimit ende është e mundshme. Megjithatë, Axios raportoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shtyrë një udhëtim të planifikuar në Lindje të Mesme që pritej të realizohej të enjten.
Tre zyrtarë të lartë iranianë kanë thënë për Reutersin se vetëm marrëveshja e armëpushimit në Gazë do të mund ta frenonte Iranin prej hakmarrjes së drejtpërdrejtë kundër Izraelit për vrasjen e liderit politik të “Hamasit”, Ismail Haniyeh, në tokën iraniane.
Qeveria izraelite ka bërë të ditur se do të dërgojë një delegacion në bisedimet e së enjtes, por “Hamasi”, grupi militant palestinez që kontrollon Gazën, ka kërkuar një plan funksional për të zbatuar një propozim që tashmë e kishte e pranuar në vend të bisedimeve të reja.
“’Hamasi’ është i përkushtuar ndaj propozimit të paraqitur atij më 2 korrik, i cili bazohet në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fjalimit të Bidenit, dhe lëvizja është e përgatitur të nisë menjëherë diskutimet lidhur me mekanizmat për zbatimin e tij”, ka deklaruar zyrtari i lartë i “Hamasit”, Sami Abu Zuhri, për Reutersin. “Shkuarja në negociatat lejon pushtimin të vërë kushte të reja dhe të përdorë negociatat për të kryer më shumë masakra”, ka shtuar ai.
Banorët kanë thënë në qytetin lindor të Rripit të Gazës, Khan Younis, se forcat izraelite kanë bombarduar shtëpitë në lindje dhe kanë intensifikuar granatimet në zonat lindore të qendrës së qytetit.
Izraeli ka bërë të ditur se është kundërpërgjigjur pas shkrepjes së raketave nga “Hamasi” në drejtim të Tel-Avivit të martën dhe se ka shënjestruar 40 caqe militantësh gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë Gazën qendrore, Khan Younisin dhe Rafah.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com