Gjashtë të vdekur nga të shtënat në një pronë në Australi

Gjashtë persona, përfshirë dy oficerë policie, janë qëlluar për vdekje pas një prite të dyshuar në një pronë të largët australiane.

Policia tha se ata kishin qenë në kërkim të një personi të zhdukur në Wieambilla – 270 km në perëndim të Brisbane, Queensland – kur u qëllua mbi ta.

Pas një rrethimi të gjatë, tre të dyshuar u qëlluan për vdekje nga policia. Motivi mbetet i paqartë, thanë autoritetet.

Kryeministri Anthony Albanese e quajti këtë ngjarje një “ditë zemërthyese” për Australinë.

Policët Matthew Arnold, 26 vjeç dhe Rachel McCrow, 29 vjeç, u qëlluan për vdekje teksa i afroheshin pronës së lartcekur. Një tjetër zyrtar i policisë pësoi një “gërvishje plumbi” dhe i katërti u arratis pa lëndime fizike, tha policia.

Fqinji 58-vjeçar u vra nga të dyshuarit pasi shkoi në pronë për të parë se çfarë po ndodhte atje.

Australia prezantoi disa nga rregullat më të rrepta në botë për armët pasi 35 njerëz u vranë në një masakër nga një person i armatosur i vetëm në Port Arthur, Tasmani, në vitin 1996.

Që atëherë, ka pasur vetëm tri të shtëna masive – të përcaktuara në Australi si ato që rezultuan në të paktën katër vdekje, duke përjashtuar autorët.

Vdekjet do të hetohen nga mjeku ligjor dhe përgjigja e policisë do të ekzaminohet nga komanda e standardeve etike të forcës, në përputhje me praktikën standarde./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala