
Flamuri i Francës, Foto: Pixabay
Franca thotë se BE-ja nuk do të tolerojë sulme në kufijtë e saj
Ministri i Jashtëm i Francës tha të mërkurën se Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera të sulmojnë kufijtë e tij sovran – duke iu përgjigjur kësisoj komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Grenlandën.
Presidenti i zgjedhur nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake apo veprimeve ekonomike për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Grenlandën – duke thënë se kontrolli amerikan i të dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara do të pushtonin ishullin e madh në Arktik, që është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.
“Qartazi nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian do t’i lejonte kombet e tjera të botës të sulmonin kufijtë e tij sovranë, kushdo qofshin ata.” – tha ai për radion France Inter. “Ne jemi një kontinent i fortë.” – shtoi ai.
Komentet e zotit Trump përvijuan më tej një agjendë ekspansioniste, dy javë para se të marrë detyrën më 20 janar në Uashington.
“Nëse po më pyesni nëse unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të pushtojnë Grenlandën, përgjigja ime është ‘Jo.’. Por, a kemi hyrë në një periudhë kohore kur flitet për mbijetesën e më të fortit? Atëherë përgjigja ime është ‘Po.’.” – tha ministri Barrot.
Ai tha se BE-ja nuk duhet të lejojë veten të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por duhet të zgjohet dhe të forcohet./Marrë nga Reuters/VoA