FBI-ja i kishte alarmuar shkollat për kërcënimet e vrasësit 14-vjeçar

Një djalë i akuzuar për vrasjen e katër personave në një shkollë të mesme amerikane në Georgia ishte intervistuar vjet nga policia për kërcënimet anonime në internet, ka bërë të ditur FBI-ja.

Colt Gray, 14 vjeç, kishte mohuar para policisë në majin e vitit të kaluar se qëndronte prapa postimeve që përmbanin imazhe armësh, duke paralajmëruar për një sulm me armë në shkollë, raporton BBC.

I dyshuari hapi zjarr të mërkurën (04.09.2024) në një shkollë të mesme në Apalachee në qytetin Winder, duke vrarë dy mësimdhënës dhe dy nxënës, kanë thënë hetuesit. Tetë nxënës dhe një mësimdhënës janë lënduar.

Ai u arrestua në kampusin shkollor dhe do të hetohet si i rritur.

Policia i ka identifikuar viktimat si mësimdhënësja Christina Irimie dhe Richard Aspinwall dhe një dy nxënës 14-vjeçar, Mason Schermerhorn dhe Christian Angulo.

Në një konferencë për media, drejtori i Byrosë për Hetimev në Georgia, Chris Hosey, ka thënë se arma ishte e llojit AR.

Në një komunikatë për media, FBI-ja ka bërë të ditur se Qendra e saj e Kërcënimeve Kombëtare kishte alarmuar forcat lokale të rendit dhe ligjit në majin e vitit 2023 pasi kishte pranuar informacione për “kërcënime online për të kryer një vrasje në shkollë në një lokacion dhe kohë të panjohur”.

Agjencia ka thënë se brenda 24 orësh, hetuesit e kishin përcaktuar se kërcënimi vinte nga Georgia.

Zëvendës-sherifët e kishin marrë në pyetje djaloshin, atëherë trembëdhjetë vjeç, dhe babanë e tij, “i cili kishte thënë se kishte armë gjuetie në shtëpi, porse subjekti nuk kishte qasje të pambikëqyrur në to”, ka njoftuar FBI-ja.

I dyshuari i kishte hedhur poshtë dyshimet se po bënte kërcënime dhe “zyrtarët i kishin alarmuar shkollat për monitorim të vazhdueshëm të subjektit”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë menjëherë pas vrasjes mbrëmë se bashkëndjen dhimbjen e familjeve dhe të të afërmve të viktimave për shkak të “dhunës së mëtejshme të pakuptimtë”.

“Çfarë do të duhej të ishte një kthim i gëzueshëm në shkollë në Winder në Georgia, u kthye në një përkujtues tjetër të tmerrshëm sesi dhuna e armëve vazhdon të dërmojë komunitetet tona”, thuhet në reagimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Ne nuk mund të vazhdojmë ta pranojmë këtë si normale”.

Presidenti ka bërë thirrje që të ndalohet armët e gjata dhe karikatorët me kapacitete të mëdha, sikur se kishte bërë thirrje edhe më herët. Ai më parë kishte kërkuar edhe masa të tjera të kontrollit dhe sigurisë së armëve.

Pas një sulmi në një shkollë fillore në Uvalde në Teksas më 2022, një grup bipartizan kongresistësh kishte punuar për kalimin e një ligji më të ashpër të kontrollit të armëve pas shumë dekadash – por shumë aktivistë konsideruan se legjislacioni ende ishte larg prej qëllimit të madh.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com