FBI-ja heton pretendimin se Irani hakoi fushatën e Trumpit
FBI-ja ka hapur rast hetimi rreth dyshimeve të ngritura se fushata e Donald Trumpit ishte sulmuar nga hakerë që punojnë për Qeverinë iraniane, ka raportuar televizioni britanik, BBC.
“Ne mund të konfirmojmë se FBI-ja po heton çështjen”, ka thënë agjencia amerikane në një deklaratë të shkurtër të hënën pasi iu referua me emër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tani është zyrtarisht kandidat i republikanëve për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë pas zgjedhjeve të nëntorit.
Një zëdhënës i fushatës së Trumpit ka deklaruar për BBC-në se dokumentet ishin marrë ilegalisht prej “burimeve të jashtme armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara”.
Zyrtarët iranianë i kanë hedhur poshtë akuzat dhe ndërlidhjen e hakerëve me Iranin. Qeveria amerikane nuk e ka akuzuar zyrtarisht Iranin.
FBI-ja po heton edhe nëse hakerët iranianë sulmuan fushatën Joe Biden-Harris, raporton CBS News, partner i lajmeve i BBC-së, duke iu referuar burimeve të afërta me hetimet.
Fushata e Trumpit ka dalë me një deklaratë të hënën pasi “Microsoft” nxori një raport duke lënë të kuptohet se hakerët iranianë sulmuan një kandidat presidencial në qershor, por nuk iu përmend emri askujt.
Qendra e analizave të kërcënimeve e “Microsoftit” ka bërë të ditur se fushata kishte pranuar një “phishing email” – një mesazh i dizajnuar për t’u dukur i vërtetë me qëllim që ta bëjë cakun të klikojë në vegëzën qëllimkeqe.
Të shtunën, Trumpi tha se hakerët “ia dolën të merrnin vetëm informacione të qasshme publikisht”.
FBI-ja nisi hetimet në fillim të verës pas dy fushatat raportuan përpjekje të skemave phishing, raporton CBS News.
Sipas “Washington Post”, tre anëtarë të stafit të fushatës Biden-Harris u targetuan gjithashtu prej emailave të ngjashëm në ditët para se presidenti Biden të bënte të ditur vendimin për tërheqje nga gara presidenciale.
Një zëdhënës i fushatës së Harrisit ka thënë në një deklaratë për media se fushata “monitoron me kujdes dhe mbrohet nga kërcënimet, dhe nuk kemi informacion për shkelje sigurie në sistemet tona”.
BBC-ja ka kërkuar komente nga fushata e Harrisit. Sipas “Washington Post”, hetimi i FBI-së ishte hapur në qershor.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com