Ilustrim: Gaza, Foto: UNRWA/facebook

Faza e parë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit përfundon gjatë fundjavës

Izraelitët i dhanë lamtumirën një nëne të re dhe dy fëmijëve të saj të vegjël, të cilët u vranë ndërsa po mbaheshin peng nga Hamasi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Tel Avivi, ceremonia mortore për ta u mbajt vetëm disa ditë para se faza e parë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hamas, të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, po shkon drejt fundit – pa një plan se si do të vazhdohet në fazën e ardhshme.

Mijëra izraelitë u rreshtuan përgjatë rrugës për të nderuar kortezhin e Shiri Bibas dhe dy djemve të saj të vegjël, të cilët u vranë gjatë kohës që po mbaheshin peng nga Hamasi. Shumë prej të pranishmëve mbanin në duar balona ngjyrë portokalli – simbol për fëmijët, flokët e të cilëve kishin këtë ngjyrë. Njëri prej tyre ishte katër vjeç, ndërsa tjetri nëntë muajsh.

Mijëra të tjerë mbushën Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv për të përkujtuar viktimat – shumë prej të cilëve mbanin pankarta me mbishkrimin “Na falni”, në hebraisht.

“Ndihemi si Shiri. Mund të kem qenë unë në vendin e saj. Mund të ketë qenë secila nga ne. Çdo nënë. E pamundur ta përfytyrojë si mund të ketë qenë, sikur të mbaheshe peng me foshnjet e tua. As mund ta imagjinojë se çfarë ka kaluar ajo.” – thotë Chen Bachar, njëra nga pjesëmarrëset në ceremoni.

Bashkëshorti dhe babai i pengjeve të vrara, Yarden Bibas ishte në mesin e pengjeve të liruara para dy javësh nga Hamasi, pasi ishte mbajtur peng për 500 ditë. Ai nuk dinte asgjë për fatin e familjes së tij, deri në momentin kur u kthye në Izrael.

Ceremonia mortore, e mbushur me emocione, u mbajt vetëm disa ditë para se të përfundojë faza e parë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit këtë fundjavë. Faza e dytë synon t’i japë fund luftës në Gazë, por negociatat për këtë fazë nuk kanë filluar ende.

Përkundër zemërimit të gjerë për vrasjen e familjes Bibas, shumica e izraelitëve përkrahin vazhdimin e negociatave – sipas analistëve izraelitë.

“Gjithë anketat e realizuara me publikun izraelit tregojnë një dëshirë të fortë për të vazhduar armëpushimin, të paktën derisa pengjet e mbetura, rreth 30 burra të cilët janë ende gjallë të lirohen, si dhe të kthehen trupat e pajetë të ushtarëve dhe pengjeve të tjera.” – thotë profesorja e Shkencave politike, Sara Hirschhorn nga Universiteti i Haifës.

Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i është referuar vazhdimisht tragjedisë së familjes Bibas për të mbështetur rifillimin e luftës në Gazë.

“Vendi është i bashkuar në dhimbje dhe si Kryeministër i Izraelit zotohem se nuk do të ndalem derisa bishat të cilët ekzekutuan pengjet tona të vihen para Drejtësisë. Nuk e meritojnë të ecin në këtë tokë. Asgjë nuk do të mund të më ndal.” – deklaroi ai.

Analistët thonë se shumica e izraelitëve duan një Marrëveshje armëpushimi me Hamasin, deri në lirimin e të gjitha pengjeve. Por, në një periudhë afatgjate, shumica e izraelitëve thonë se nuk duan që Hamasi të vazhdojë të ketë kontrollin mbi Gazën./VoA