Miliarderi Elon Musk, Foto: TED, Video

Elon Musk: Kam gjetur një drejtues të ri ekzekutiv për Twitter-in

Elon Musk thotë se ka gjetur një drejtues të ri ekzekutiv për Twitter-in, apo Korporatën X siç quhet tani. Sipas shumë mediave amerikane bëhet fjalë për Linda Yaccarino-n, drejtuese e kompanisë ‘NBCUniversal’.

Musk nuk e përmendi emrin e zonjës Yaccarino, por të premten ‘NBCUniversal’ tha se ajo do të largohej nga kompania si drejtuese për reklamat dhe partneritetet globale.

Yaccarino intervistoi Musk në Majami muajin e kaluar para qindra reklamuesve.

Elon Musk, i cili bleu Twitter-in vjeshtën e kaluar dhe e ka drejtuar atë qysh atëherë, ka këmbëngulur prej kohësh se ai nuk do të jetë drejtues ekzekutiv i përhershëm i kompanisë. Miliarderi i Teslës shkruante në një postim në Twitter të enjten se roli i tij do të kalojë nga ai i kreut ekzekutiv, në atë të shefit të teknologjisë së Twitter-it.

Në mes të nëntorit, vetëm pak javë pasi bleu platformën e mediave sociale për 44 miliardë dollarë, ai tha para një gjykate në shtetin Delaware se nuk dëshiron të jetë drejtues ekzekutiv i asnjë kompanie.

“Do reduktoj kohën time në Twitter dhe me kalimin e kohës, do të gjej dikë tjetër për ta drejtuar atë”, u shpreh ai.

Më shumë se një muaj më vonë  ë dhjetor, në një postim në Twitter ai shkruante: “Do të jap dorëheqjen si drejtues ekzekutiv sapo të gjej dikë mjaft ‘të çmendur’ për ta marrë kë të detyrë”. Premtimi erdhi pasi miliona përdorues të Twitter-it i kërkuan atij të jepte dorëheqjen në një sondazh në Twitter, të cilin e zhvilloi vetë miliarderi, duke paralajmëruar se do t’i përmbahej rezultatit të tij.

Në shkurt, ai tha në një konferencë se parashikonte të gjente një drejtues ekzekutiv për Twitter-in me qendër në San Francisko “ndoshta nga fundi i këtij viti”.

Analistët që ndjekin biznesin e Twitter-it e mirëpritën lajmin edhe pa e ditur se kush do të ishte zëvendësuesi. Biznesi i reklamave të Twitter-it është goditur nën drejtimin e zotit Musk, megjithëse miliarderi i tha BBC-së muajin e kaluar se kompania ndodhe aktualisht “përafërsisht” në pikën ku të ardhurat mbulojnë shpenzimet.

“Një drejtues i ri ekzekutiv është e vetmja rrugë përpara për Twitter-in”, tha analistja e grupit ‘Insider Intelligence’ Jasmine Enberg. “Problemi i vetëm më i madh me biznesin e reklamave të Twitter-it ishte Elon Musk. Ndërsa ai tërhiqet, Twitter-i mund të fillojë të heq markën personale të zotin Musk nga imazhi i korporatës së kompanisë dhe të përpiqet të rifitojë besimin mes reklamuesve. Suksesi i këtyre përpjekjeve do të varet nga kush e merr përsipër këtë post, por është e vështirë të imagjinohet se drejtuesi i ri mund të jetë më i diskutueshëm ose më i dëmshëm për biznesin e reklamave të Twitter-it sesa zoti Musk.

Aksionet e Teslës u rritën rreth 2% të enjten pasi Elon Musk-u bëri njoftimin. Aksionerët e kompanisë së makinave elektrike kanë qenë të shqetësuar se vëmendja e tij po shpenzohej tek Twitter-i.

Nëntorin e kaluar, ai u pyet se si e ndan kohën e tij mes Teslës dhe kompanive të tjera të tij, duke përfshirë SpaceX-in dhe Twitter-in.

Musk tha se ai kurrë nuk kishte ndërmend të bëhej drejtues ekzekutiv i Teslës dhe se nuk donte të ishte shef ekzekutiv i ndonjë kompanie tjetër, duke preferuar ta shihte veten si inxhinier. Zoti Musk tha gjithashtu në atë kohë se priste që një ristrukturim organizativ i Twitter-it të përfundonte në javën në vazhdim. Kanë kaluar gati gjashtë muaj qysh atëherë.

Mandati i zotit Musk në krye të Twitter-it ka qenë kaotik, dhe ai ka bërë premtime dhe deklarata të ndryshme nga të cilat është tërhequr ose nuk i ka realizuar kurrë. Ai filloi ditën e tij të parë duke shkarkuar drejtuesit kryesorë të kompanisë, dhe më pas afërsisht 80% e stafit të saj. Ai ka përmirësuar sistemin e verifikimit të platformës dhe ka zvogëluar moderimin e përmbajtjes dhe masat mbrojtëse kundër përhapjes së dezinformatave.

Duke bërë shaka me ndjekësit në Twitter në fund të vitit të kaluar, zoti Musk shprehu pesimizëm lidhur me gjetjen e një drejtuesi të ri. Ai tha se atij personi “nuk duhet t’i dhimbset vetja” për të drejtuar një kompani që “ka qenë në rrugën e shpejtë të falimentimit”.

“Askush nuk e dëshiron punën që mund ta mbajë Twitter-in gjallë. Nuk ka pasardhës”, shkruante zoti Musk në Twitter në atë kohë./ VOA