Botërori, Katar 2022: Përballja e sotme Iran-SHBA e mbushur me tensione politike

Kanë mbetur diç më pak se pesë orë nga përballja ndërmjet Iranit dhe SHBA-së.

Përballja e fundit e Kupës së Botës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit 24 vjet më parë konsiderohet si një nga ndeshjet më të ngarkuara politikisht në historinë e futbollit.

Këtë herë, nuancat politike janë po aq të forta dhe marrëdhëniet ndoshta edhe më të ashpra sa SHBA-ja dhe Irani përballen edhe një herë të martën, pra sot, në Katar.

Protestat mbarëkombëtare të Iranit, programi i tij bërthamor në zgjerim e sipër dhe sulmet rajonale dhe ndërkombëtare të lidhura me Teheranin e kanë shtyrë vendosur rëndësinë e kësaj përballje përtej stadiumit edhe në gjeopolitikë.

Pavarësisht nga rezultati që do të mund të arrihet në fushë, tensionet ka të ngjarë të përkeqësohen vetëm në muajt e ardhshëm.

Kur marrëdhëniet përkeqësohen midis SHBA-së dhe Iranit varet nga ajo se cilin prej tyre e pyesni. Iranianët tregojnë për grushtin e shtetit të mbështetur nga CIA në vitin 1953 përmes të cilit u çimentua pushteti i Shah Mohammed Reza Pahlavit. Amerikanët kujtojnë marrjen e ambasadës amerikane në vitin 1979 dhe krizën 444-ditore të pengjeve gjatë Revolucionit Iranian.

Në futboll, megjithatë, afati kohor është shumë më i thjeshtë pasi kjo do të jetë vetëm hera e dytë që Irani dhe SHBA-të përballen me njëri-tjetrin në Kupën e Botës.

Hera e fundit ishte në turneun e vitit 1998 në Francë – një kohë krejtësisht tjetër në Republikën Islamike. Irani fitoi 2-1 në Lyon, një pikë e ulët për ekipin e meshkujve të SHBA-së, ndërkohë që iranianët festuan në kryeqytetin iranian, Teheran.

Në atë kohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i dhe vlerësmin ekipit iranian, duke thënë se “kundërshtari i fortë dhe arrogant e ndjeu shijen e hidhur të humbjes”.

Megjithatë, jashtë fushës, presidenti i atëhershëm i Iranit, Mohammad Khatami, u përpoq t’i përmirësonte lidhjet me Perëndimin dhe botën më gjerë. Brenda Iranit, Khatami nxiti politikat e ashtuquajtura “reformiste”, duke kërkuar të liberalizojë aspekte të teokracisë së tij duke ruajtur strukturën e tij me një lider suprem në krye.

Presidenti i SHBA Bill Clinton dhe administrata e tij shpresonin se zgjedhja e Khatamit mund të ishte pjesë e një shkrirjeje.

Të dy skuadrat kanë pozuar për një fotografi të përbashkët dhe lojtarët iranianë u kanë dorëzuar lule të bardha kundërshtarëve të tyre amerikanë. Shtetet e Bashkuara u dhanë iranianëve flamuj të Federatës së Futbollit të SHBA. Ata madje shkëmbyen fanella, megjithëse iranianët nuk i veshën ato. Më vonë luajtën një miqësore edhe në Pasadena, Kaliforni.

Krahasuar me  24 vjet më parë, tani marrëdhëniet janë ndoshta më të tensionuara se sa kanë qenë ndonjëherë.

Irani tani qeveriset tërësisht nga linjat e ashpra pas zgjedhjes së Presidentit Ebrahim Raisi, një mbrojtës i Khameneit, i cili mori pjesë në ekzekutimin masiv të mijëra të burgosurve politikë në vitin 1988 në fund të luftës Iran-Irak.

Pas prishjes së marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015 me fuqitë botërore, e shkaktuar nga tërheqja e njëanshme e Presidentit Donald Trump nga kjo marrëveshje, Teherani tani po e pasuron uraniumin në pastërtinë 60% – një hap i shkurtër teknik nga nivelet e nivelit të armëve. Ekspertët e mospërhapjes paralajmërojnë se Republika Islamike tashmë ka mjaft uranium për ta ndërtuar të paktën një bombë bërthamore.

Një luftë në hije sulmesh me dronë, vrasje të targetuara dhe sabotazhe e ka tronditur Lindjen e Mesme për vite me rradhë pas prishjes së marrëveshjes së lartcekur. Ndërkohë, Rusia po i godet zonat civile dhe infrastrukturën e energjisë në Ukrainë me dronë të prodhuar nga Irani.

Për dy muaj, Irani është tronditur nga protestat masive që pasuan pas vdekjes së 16 shtatorit të Mahsa Amini, një gruaje 22-vjeçare që ishte arrestuar më parë nga policia morale e Iranit. Protestat kanë lënë të paktën 451 njerëz të vrarë që nga fillimi, si dhe mbi 18,000 të arrestuar, sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran, një grup mbrojtës pas demonstratave.

Në Kupën e Botës në Katar, fitorja 2-0 e Iranit kundër Uellsit dha një moment të shkurtër lajmi të mirë për anëtaret e vijës së ashpër. Pas ndeshjes, policia e trazirave në Teheran valëviti flamujt iranianë në rrugë, diçka që i zemëroi demonstruesit. Vetë Khamenei e pranoi se fitorja “ngjalli gëzim në vend”.

Megjithatë, lideri suprem paralajmëroi se “tani kur po zhvillohet Kupa e Botës, të gjithë sytë janë mbi të. Kundërshtari zakonisht përfiton nga ky moment i dobët për të vepruar.”

Ndërkohë që demonstratat janë intensifikuar, Irani, në mungesë të provave, po pretendon se armiqtë e tij jashtë vendit, përfshirë SHBA-në, po i nxisin këto trazira. Në një Kupë Botërore ku organizatorët shpresonin ta shkëputnin politikën nga fusha, këto tensione kanë shpërthyer nëpër stadiume me demonstrues pro dhe antiqeveritar që bërtasin njëri-tjetrin.

Përpara ndeshjes të së martës në stadiumin Al Thumama, Irani ka publikuar një video propagandistike me fëmijë të vegjël që këndojnë, duke përfshirë vajza me hixhabe të bardha, përpara një fushe të vogël. Duke valëvitur flamujt dhe të vendosur kundër një ritmi të sintetizatorit, fëmijët këndojnë: “Ne ju mbështesim në tribina, të gjithë me një zë Iran, Iran.”

“Ne jemi duke pritur për një gol, zemra jonë sekondë pas sekonde po rreh për Iranin tonë”, shtojnë ata.

Një fitore e tillë mund të rezultojë të jetë një nxitje e mëtejshme për palët e vijës së ashpër. Tashmë, ata kanë reaguar me zemërim ndaj një proteste të Federatës së Futbollit të SHBA-së e cila e fshiushkurtimisht stemën e Republikës Islamike nga flamuri i Iranit në postimet në mediat sociale.

Është e paqartë nëse ndonjë zyrtar i qeverisë iraniane apo amerikane do të jetë në dispozicion për ndeshjen. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mori pjesë tashmë në ndeshjen e SHBA-së kundër Uellsit në fillim të këtij turneu botëror.

Mirëpo, kundërshtarët e qeverisë së Iranit janë gati në Katar me mesazhin e tyre. Mes tyre është edhe ish-zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Morgan Ortagus, e cila fluturoi pasditen e së hënës në Katar për ndeshjen me Iranin. Ortagus shërbeu në administratën Trump dhe ishte një nga fytyrat e fushatës së saj të ashtuquajtur “presion maksimal”.

“Është një nga ato momentet kryesore kur gjeopolitika dhe sporti përplasen”, tha Ortagus për Associated Press. “Po e shihni se ekipi i Iranit bën atë që mundet për t’u ngritur për protestuesit dhe njerëzit që demonstrojnë në mënyrë paqësore./Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala