
Bota reagon pas vdekjes së ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter
Presidenca e Jimmy Carterit u karakterizua nga kriza 444-ditore e pengjeve në Iran, por ai u lartësua si një figurë humanitare më vonë në jetën e tij – duke e fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2002.
Carter vdiq në moshën 100 vjeçare, më 29 dhjetor.
Më poshtë mund të lexoni reagimet nga e gjithë bota, pas vdekjes së tij.
Biden: Bota dhe Amerika e humbën një lider të jashtëzakonshëm
Presidenti amerikan, Joe Biden tha se bota dhe Amerika e humbën një lider të jashtëzakonshëm – një burrështetas dhe një humanitar.
“Gjatë gjashtë dekadave, ne patëm nderin ta quajmë Jimmy Carterin mik të dashur. Por, ajo që është e jashtëzakonshme për Jimmy Carterin, megjithatë është se miliona njerëz në Amerikë dhe në botë, të cilët nuk e takuan kurrë, gjithashtu e cilësuan atë si mik të dashur.” – tha Biden.
Trump: Të gjithë i jemi mirënjohës Carterit
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump tha se e gjithë Amerika i është mirënjohëse Carterit, për atë që ai ka bërë për vendin.
“Sfidat me të cilat u përball Jimmy si President ndodhën në një kohë vendimtare për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka në dorën e tij për ta përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve.” – tha ai.
Obama: Carter besoi në integritet dhe respekt
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama e nderoi Jimmy Carterin si një figurë të integritetit të lartë, i cili avokoi për të mirën e publikut.
“I zgjedhur nën hijen e [skandalit] Watergate, Jimmy Carter u premtoi votuesve se ai do ta thoshte të vërtetën gjithmonë. Dhe, ai e bëri këtë, duke avokuar për të mirën e publikut, pavarësisht pasojave. Ai besoi se disa gjëra ishin më të rëndësishme se rizgjedhja – gjëra si integriteti, respekti e dhembshuria.” – tha Obama.
George W. Bush: Trashëgimia e Carterit do t’i frymëzojë amerikanët
Ish-presidenti amerikan, George W. Bush tha se trashëgimia e Jimmy Carterit do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm të amerikanëve.
“Ai ëstë shembull se si duhet të shërbesh dhe do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm amerikanë.” – tha Bush.
“Ai ishte besnik ndaj familjes, bashkësisë dhe vendit. Presidenti Carter e madhështoi Zyrën e Presidentit.” – shtoi ai.
Clinton: Carter luftoi për një botë më të mirë
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton e lartësoi ish-presidentin, Jimmy Carter si një njeri që luftoi për një botë më të mirë.
“Nga angazhimi i tij për të drejtat civile si senator i shtetit e guvernator i Xhorxhias, te përpjekjet e tij si President për t’i mbrojtur burimet tona natyrore në Rezervatin Kombëtar të Kafshëve të Egra të Arktikut, për ta bërë kursimin e energjisë prioritet kombëtar, për ta rikthyer Kanalin e Panamasë te Panamaja dhe për të siguruar paqen midis Egjiptit e Izraelit në Camp David, te përpjekjet e tij në Qendrën “Carter” për të mbështetur zgjedhje të ndershme, për ta çuar përpara paqen, për t’i luftuar sëmundjet dhe për ta promovuar demokracinë, e deri te përkushtimi dhe puna e tij e palodhshme, bashkë me Rosalynn, në Habitat for Humanity. Ai punoi pareshtur për një botë më të mirë dhe më të drejtë.” – tha Clinton.
Macron: Carter luftoi pareshtur për paqe
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e përshkroi ish-presidentin amerikan, Jimmy Carter, si një figurë i cili luftoi pareshtur për sjelljen e paqes në botë.
“Gjatë jetës së tij, Jimmy Carter ka qenë avokues i palëkundur për të drejtat njerëzve më të cenuar dhe ka punuar pareshtur për paqe.” – tha Macron.
“Franca është pranë familjes së tij dhe të gjithë popullit amerikan.” – shtoi ai.
Starmer: Carter ia kushtoi jetën paqes
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer tha se dëshiron ta nderojë ish-presidentin amerikan, Jimmy Carter për punën e tij vetëmohuese dhe dekadëshe në shërbim të publikut.
“Presidenca e tij do të mbahet në mend për Marrëveshjet e Camp David mes Izraelit e Egjiptit, prandaj përkushtimi i tij jetësor për paqen ia dhuroi atij Çmimin Nobel për Paqe.” – tha Starmer.
“I nxitur nga vlerat dhe besimi i tij i fuqishëm, presidenti Carter e ridefinoi jetën pas Presidencës, me përkushtimin e tij të shquar ndaj drejtësisë shoqërore dhe të drejtave të njeriut brenda e jashtë vendit.” – shtoi ai.
HRW: Carter ishte shembull për liderët botërorë
Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” (HRW) tha se Jimmy Carter është shembull i shkëlqyer për liderët botërorë, që ata t’i bëjnë prioritet të drejtat e njeriut.
“Ai vazhdoi të luftojë për të drejtat e njeriut, edhe pasi u largua nga detyra e Presidentit.” – tha HRW.
Tedros: Përkushtimi i tij do të mbahet mend përgjithmonë
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter do të mbahet mend “përgjithmonë” për përkushtimin e tij të palëkundur, për mirëqenien e njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën.
“Puna e tij përmes Carter Center ka shpëtuar shumë jetë dhe ka ndihmuar që shumë sëmundje tropikale të lëna pas dore të sillen buzë eliminimit.” – tha ai./REL