Blinken kërkon kthimin në mekanizmin e OKB-së për të drejtat e njeriut

Shtetet e Bashkuara do të kthehen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, tre vjet pasi administrata e ish-presidentit Donald Trump është tërhequr nga ky mekanizëm ndërkombëtar, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken tha se Uashingtoni do të kërkojë të zgjidhet anëtar më vonë këtë vit, ndërsa, deri atëherë, do të mbetet vëzhgues aktiv.

“Jam i lumtur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë zgjedhje në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, për mandatin 2022-24. Me përulësi kërkojmë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, në përpjekjen tonë për t’u kthyer në këtë organ”, tha Blinken, duke iu adresuar Këshillit me një video të regjistruar.

Trump e ka tërhequr SHBA-në nga Këshilli në qershor të vitit 2018, por administrata Biden është kthyer si vëzhguese në fillim të këtij muaji.

Atëbotë, Trump është ankuar për “paragjykime” kundër Izraelit dhe për “hipokrizinë” e lejimit në tryezë të vendeve që abuzojnë me të drejtat e njeriut.

Zgjedhjet vjetore për anëtarësinë trivjeçare në Këshillin me 47 anëtarë do të mbahen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në tetor.

Britania, Kina dhe Rusia janë midis anëtarëve aktualë. REL