Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.

Biden, Putinit: SHBA-ja do të marrë masa, pas sulmit të fundit kibernetik

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin “të marrë masa” kundër grupeve që kryejnë krime kibernetike nga Rusia, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Sulmet kibernetike në Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera, janë shtuar dukshëm në vitin e fundit, dhe kanë përfshirë sulme të profilit të lartë.

Si pasojë e sulmeve të tilla, një gazsjellës i madh ka ndalur punën për disa ditë në lindje të SHBA-së.

Biden i ka thënë të premten Putinit se SHBA-ja do të marrë “të gjithë hapat e nevojshëm” për të mbrojtur amerikanët dhe infrastrukturën kritike të kërcënuar nga sulmet kibernetike, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Thirrja telefonike, që Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka zgjatur rreth një orë, ka ndodhur disa ditë pasi Kaseya, kompani teknologjike me bazë në Florida, ka qenë cak i një sulmi kibernetik që ka ndikuar në punën e qindra bizneseve amerikane dhe mbi 1,500 bizneseve tjera në nivel global.

Informacioni për shkallën e sulmit, që sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike është më i madhi në histori, mbetet i pakompletuar.

Grupi për krime kibernetike me bazë në Rusi, Revil ka pretenduar se ka kryer sulmin dhe ka kërkuar monedha digjitale në vlerë të 70 milionë dollarëve për të mundësuar qasjen në softuerin e kompanisë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, ka thënë se Shtëpia e Bardhë nuk ka “informacione se Qeveria ruse ka dhënë urdhër për sulme të tilla”, mirëpo Kremlini ka “përgjegjësi për të marrë masa”.

Biseda në mes të dy liderëve ka ardhur më pak se një muaj pasi dy liderët kanë realizuar takimin e parë ballë për ballë në Gjenevë.

Në të, Biden ka paralajmëruar Putinin kundër sulmeve kibernetike në bizneset amerikane si dhe për infrastrukturën që buron nga Rusia./REL