Banorët e Gazës rrezikohen nga sëmundjet pas përhapjes së ujërave të zeza
Ujërat përgjatë bregdetit mesdhetar të Gazës kanë nisur të ndryshojnë ngjyrë, derisa ekspertët paralajmërojnë për përhapje të ujërave të zeza dhe sëmundjeve në mbarë territorin, raporton BBC-ja.
Pamjet satelitore, të analizuara prej BBC-së në gjuhën arabe, kanë treguar se si një shkarkim i madh i ujërave të zeza po bëhet përgjatë bregut në Deir al-Balah.
Një zyrtar lokal ka deklaruar për programin arabisht të BBC-së se njerëzit në kampet përreth po i derdhin ujërat e zeza drejt e në det.
“Kjo po ndodh për shkak të rritjes së numrit të personave të zhvendosur dhe shumë prej tyre po i lidhin tubat e tyre në tubat e sistemit të drenazhit të ujit të shiut”, ka thënë Abu Yazan Ismael Sersour, drejtues i komitetit të emergjencave në Deir al-Balah.
Wim Zwijnenburg, ekspert mjedisi nga organizata “Pax for Peace”, ka konfirmuar se ujërat e zeza po derdhen në det prej kampeve të mbipopulluara në afërsi. Vlerësimi është bërë pas analizimit të pamjeve satelitore.
Shkarkimi i ujërave të zeza, siç shihet në imazhet e 2 gushtit, mbulonin një hapësirë prej 2 kilometrash. Të dhënat tregojnë se shkarkimet e kanalizimeve kishin nisur së pari në qershor dhe se me kalimin e javëve nisi të zgjerohej hapësira e ndotur.
Nuk është e qartë nëse ndotja bregdetare ende po rritet meqë nuk ka pasur qasje në pamjet e fundit satelitore.
Bombardimi intensiv izraelit ka shkaktuar prishje të infrastrukturës së menaxhimit të ujërave të ndotura në Gazë, kishte vlerësuar në qershor një raport për mjedisin i Kombeve të Bashkuara.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit, që monitoron politikën për territoret palestineze, ka thënë për BBC-në në arabisht se një task-forcë e krijuar ka marrë aksion për të përmirësuar sistemin e kanalizimit në Gazë. BBC-ja në arabisht nuk ka qenë në gjendje që të verifikojë në mënyrë të pavarur përmirësimet e pretenduara izraelite.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com