Foto: REL/EPA-EFE
Austria planifikon masa më të ashpra kundër terrorizmit
Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë të martën se do të marrë hapa për të fuqizuar kapacitetin e Austrisë kundër terrorizmit pasi javën e kaluar autoritetet neutralizuan një komplot të planifikuar nga një i dyshuar i frymëzuar nga “Shteti Islamik” kundër një koncerti që Taylor Swift pritej ta mbante në Vjenë, raporton Reuters.
Në një postim në X, Nehammer ka thënë se do ta paraqesë një pako masash që do të mundësojnë “veprim vendimtar kundër aktiviteteve terroriste”, duke e lidhur e këtë deklaratë me një raport mediatik që paralajmëronte masat e tij për të fuqizuar rolin e shërbimeve të brendshme të inteligjencës.
Raporti që iu referua Nehammer në gazetën austriake “Kronen Zeitung” spikaste katër pika, përfshirë dhënien e kompetencave shërbimeve të sigurisë për të monitoruar komunikimet dërguar nëpërmjet aplikacioneve të mesazheve – që aktualisht nuk lejohet në këtë vend.
Nehammer, kancelar konservator që muajin e ardhshëm do të kërkojë të rizgjidhet, ka thënë se pas komplotit të neutralizuar, Austria duhet t’u japë më shumë kompetenca agjencive të inteligjencës për t’i dekriptuar mesazhet.
Sondazhet tregojnë se kërcënimi kryesor për Partinë Popullore Austriake(OVP) të Nehammerit është Partia e Lirisë e së djathtës ekstreme, që prin në garën për t’i fituar zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit.
FPO-ja bën fushatë kundër atij që e quan “islamizim” të Austrisë dhe është zotuar se do ta ndalojë islamin politik.
Nehammer ka thënë se do ta t’i shtrojë planet në një takim të këshillit të sigurisë kombëtare që pritet të mbahet më vonë të martën.
“Kronen Zeitung” ka raportuar se pakoja e tij përfshin propozime për luftimin e islamit politik nëpërmjet fuqizimit të rregullave rreth të drejtës së mbledhjes për grupet që konsiderohen armiqësore ndaj demokracisë. Propozimet përfshijnë edhe masa me synim ekstremistët e deradikalizuar dhe provizione për të lehtësuar paraburgimin e të dyshuarve të rinj për krime serioze.
Zyra e Nehammerit nuk i është përgjigjur kërkesës së Reutersit për koment.
Austria ka ligje strikte të privatësisë për të dhënat personale dhe përpjekjet e OVP-së për të lehtësuar monitorimin e komunikimeve ka shkaktuar debate me partnerët e koalicionit të saj me të Gjelbrit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com