Apple e heq konkurrentin rus të Facebook VK nga App Store

Apple e ka larguar VK, konkurrentin rus të Facebook-ut, nga App Store globalisht, duke përmendur konfliktet me sanksionet britanike.

Në një deklaratë në faqen e internetit të rrjetit social, kompania tha se aplikacioni do të vazhdojë të funksionojë në telefonat inteligjentë që e kishin instaluar tashmë përpara heqjes, mirëpo i paralajmëroi përdoruesit se “mund të ketë vështirësi me njoftimet dhe pagesat” si rezultat.

“Në muajt e fundit, përditësimet kryesore janë zbatuar në produktet tona kryesore, të cilat do të lejojnë që aplikacionet të mbeten të rëndësishme për një kohë të gjatë,” vazhdoi deklarata nga kompania Apple. “Ekspertët tanë po bëjnë çmos për ta ruajtur dhe për ta vazhduar përmirësimin e përvojës së përdoruesit”.

Apple konfirmoi largimin e VK në një deklaratë. 

Ministria ruse e çështjeve dixhitale tha se e ka shtyrë Apple për arsyen e fshirjes, “duke nënvizuar rëndësinë sociale dhe shkallën e përdorimit të shërbimeve të ofruara nga kompania ruse” dhe tha se një “plan veprimi” do të pasonte përgjigjen e kompanisë.

Ashtu si shumë kompani perëndimore, Apple i reduktoi vullnetarisht operacionet e saj nw Rusi pasi ky vend filloi sulmin e tij të fundit në Ukrainë në muajin shkurt. Ajo ndaloi shitjen e produkteve të saj, duke e detyruar Rusinë ta shtojë iPhone në listën e mallrave që mund të importohen dhe rishiten pa lejen e pronarit të markës tregtare, sipas të ashtuquajturës skemë të importit paralel.

Kësti i fundit i sanksioneve të Britanisë së Madhe u lëshua të hënën, në përgjigje të referendumeve të rreme të mbajtura nga autoritetet ruse në rajonet e pushtuara në Ukrainë për ta demonstruar pëlqimin për aneksimin e territoreve. Sanksionet e fundit përfshijnë 39 anëtarë të udhëheqjes së Gazprombank dhe Sberbank, banka të lidhura me shtetin që mes tyre zotërojnë diç më pak se gjysmën e VK-së, e njohur më parë si VKontakte./The Guardian