Miliarderi Elon Musk, Foto: TED (VIDEO)
Analiza e CNN: Musk përpiqet të ndihmojë Trumpin të ndalojë ndikimin e Harrisit
Televizioni amerikan CNN, i ka kushtuar një analizë miliarderit Elon Musk dhe përpjekjeve të tij për ta ndihmuar kandidatin republikan Donald Trump, karshi kundërkandidates demokrate Kmala Harris për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.
CNN shkruan se Musk e hapi platformën e tij sociale X të hënën mbrëma (12.08.2024), duke ia ofruar Donald Trumpit një mundësi që të flasë “pa pasur nevojë të verifikimit të gënjeshtrave, teorive të konspiracionit dhe ekstremizmit”, përderisa thuhet se po mundohet ta ndalë vrullin e kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris.
Biseda siç thekson CCN-i, përbënte një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në një fushatë presidenciale që ka sfiduar logjikën me kthesat e mëdha në javët e fundit, një tentim-vrasje ndaj Trumpit dhe tërheqjen e befasishme të presidentit Joe Biden nga gara për rizgjedhje.
“Ish-presidenti Trump kishte humbur udhën – duke pasur vështirësi që t’ia dilte përballë fillimit mahnitës të kandidates së re të demokratëve. Gjatë bisedës së gjatë, Musku dukej se po e përdorte fuqinë e profilit dhe platformës së tij për ta mësuar Trumpin si të formësojë argumente më të mira kundrejt Harrisit” – shkruan televizioni.
“Ajo është besimtare e së majtës radikale”, deklaroi Trumpi në një moment për rivalen demokrate, e cila ia ka dalë t’ia marrë anën në sondazhe vetëm tri javë pasi shpalli kandidaturën. Dhe ish-presidenti, i cili ishte mundur të përmbyste zgjedhjet që i kishte humbur, pretendoi pa fakte se Bideni ishte shtyrë ilegalisht që t’ia hapte rrugën Harrisit. “Ajo nuk ka dhënë asnjë intervistë prejse nisi gjithë ky mashtrim, dhe mund të thuash çfarë të duash, ky ishte një puç. Ky ishte një puç i një presidentit të Shteteve të Bashkuara”-citohet të ketë thënë me vendosmëri Trumpi.
Më tej në këtë analizë thuhet se Musk u pajtua me Trumpin se “Harris është një majtiste radikale” dhe ia bëri qejfin mysafirit të tij, duke lënë të kuptohej se ai është i forti, përderisa kundërshtarët e tij demokratë janë të dobët. Ai iu referua armiqve të Amerikës dhe tha: “A i frikësohen ata presidentit amerikan, apo është dikush që nuk e respektojnë dhe nuk ia kanë frikën? Le të shohim pamjet e vrasjes. E dini, presidenti Trump duket (sikur thotë) mos u matni me mua”.
Musku tashmë e kishte shprehur mbështetjen për Trumpin dhe thuhet se nuk la asnjë fije dyshimi se e do Trumpin edhe një mandat president. “Ju jeni shtegu drejt prosperitetit. Dhe mendoj se Kamala është e kundërta”- i tha ai Trumpit.
“Musku, i cili ka interesa të mëdha biznesore për të siguruar trajtim të favorshëm nga administrata e ardhshme, i ofroi kandidatit republikan një audiencë prej së paku 1.3 milionë dëgjuesish në momentin më të keq të fushatës deri tani. Dhe parashikoi se së paku 100 milionë njerëz do të konsumonin përmbajtjen ditëve të ardhshme”- shkruan CNN-i.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com