Afganistan - Të paktën 10 nxënës të vrarë nga shpërthimi i bombës në një shkollë

Të paktën 10 persona janë vrarë pas një shpërthimi me bombë në një shkollë fetare në veri të Afganistanit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga talibanët në pushtet.

Shpërthimi ndodhi në Aybak në provincën Samangan dhe la shumë të tjerë të plagosur, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme për BBC.

Por numri i të vdekurve mbetet i pasigurt dhe dy zyrtarë provincialë i thanë BBC-së se 17 persona vdiqën në këtë shpërthim.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri më tani.

Shpërthimi thuhet se ka ndodhur teksa njerëzit po largoheshin nga lutjet e xhematit dhe një mjek në spitalin lokal raportohet të ketë thënë se shumica e viktimave ishin nxënës të shkollës.

“Të gjithë ata janë fëmijë dhe njerëz të zakonshëm”, citohet të ketë thënë një mjeku, raporton AFP.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Abdul Nafee Takkur ka deklaruar se forcat e sigurisë së talebanëve po e hetojnë sulmin dhe u zotuan t’i “identifikojnë autorët dhe t’i ndëshkojnë ata për veprimet e tyre”.

Aybak është një qytet historik që u bë i njohur si një qendër tregtare dhe një qendër për budistët në shekujt 4 dhe 5. Ndodhet rreth 200 km në veri të kryeqytetit Kabul.

Afganistani është tronditur nga dhjetëra shpërthime që kur talebanët morën pushtetin vitin e kaluar, kryesisht të pretenduara nga dega lokale e grupit të Shtetit Islamik, i njohur si Shteti Islamik – Provinca Khorasan (ISIS-K).

Grupi ISIS-K është grupi më ekstrem nga grupet militante në Afganistan dhe ka vënë në shënjestër pakicat fetare – si Hazarasit – të cilët talebanët janë zotuar t’i mbrojnë. Megjithatë, Human Rights Watch kohët e fundit vërejti se “autoritetet talebane kanë bërë pak për t’i mbrojtur këto komunitete nga sulmet vetëvrasëse dhe sulme të tjera të paligjshme”.

Në shtator, të paktën 54 persona – përfshirë 51 vajza dhe gra të reja – u vranë pasi një kamikaz shpërtheu një bombë në kryeqytetin Kabul. Sulmuesi kishte shënjestruar një sallë ku qindra studentë ishin ulur për një test për pranimin në universitet.

Udhëheqësit talebanë fajësuan më vonë grupin ISIS-K për sulmin, megjithëse vetë grupi nuk mori përgjegjësinë për atë sulm./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala