50 milionë vaksina në krahët e amerikanëve

50 milionë amerikanë janë vaksinuar deri tani me të paktën një dozë kundër Covid-19, ndërsa numri i vdekjeve që nga fillimi I pandemisë kaloi shifrën 500 mijë. Presidenti Biden premtoi kur erdhi në detyrë se në 100 ditët e para të administratës së tij, do të vaksinoheshin 100 milionë amerikanë.

Presidenti Joe Biden përshëndeti të enjten ritmin e përpjekjeve të administratës së tij për të vaksinuar amerikanët … duke arritur 50 milionë vaksinime në 37 ditë, gjysma e objektivit të tij për 100 milionë vaksinime në 100 ditët e para.

“Jemi duke ecur në drejtimin e duhur, megjithë mangësitë që trashëguam nga administrata e mëparshme”, tha presidenti.

Më shumë se 45 milionë amerikanëve u është dhënë të paktën një dozë e vaksinës Pfizer ose Moderna, dhe më shumë se 20 milionë i kanë marrë të dyja dozat.

Një vaksinë e tretë është gjithashtu pranë miratimit.

“Nëse Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet miraton përdorimin e kësaj vaksine të re, ne kemi një plan për ta shpërndarë atë sapo të bëhet gati nga Johnson dhe Johnson”, tha presidenti.

Ndryshe nga vaksinat Moderna dhe Pfizer, vaksina e Johnson and Johnson nuk ka nevojë të ruhet në temperatura shumë të ulta dhe mund të jepet në një dozë të vetme. Kompania tha se mund të ketë gati 20 milionë doza deri në fund të marsit.

Presidenti Biden tha se për shkak të hezitimit për vaksinat, deri në prill ose maj mund të ketë më shumë vaksina sesa amerikanët që kërkojnë të vaksinohen. Administrata po planifikon të nisë një fushatë për të luftuar keqinformimin në lidhje me vaksinat.

“Kjo epidemi keqinformimi është veçanërisht e lartë në ato pjesë të popullatës që ne kemi nevojë për të vaksinuar më shumë. Këtu përfshihen grupet afrikano-amerikane dhe latine, ku ekziston një hezitim historik dhe mosbesim ndaj sistemit zyrtar shëndetësor për shkak të dekadave të abuzimit dhe trajtimit të dobët të këtyre grupeve të pakicave”, thotë për Zërin e Amerikës Dr. Alain Labrique me Universitetin Johns Hopkins.

Presidenti Biden gjithashtu u takua virtualisht me guvernatorët e shteteve pëplanet për të shpejtuar edhe më tej shpërndarjen e vaksinave.

“Gjëja e vetme më e rëndësishme pasi të sigurohet furnizimi që qeveria federale mund të bëjë, është të standardizojë raportimin, në mënyrë që të jetë e qartë se çfarë po ndodh saktësisht në secilin shtet. Sa përqind e njerëzve vaksinohen çdo javë, çfarë përqindje e popullsive të bardha, me ngjyrë, latine, aziatike, e amerikanëve vendas, e kështu me rradhë po vaksinohen dhe si krahasohet kjo me popullsinë në të gjithë vendin. Ajo që matet mund të menaxhohet. Tani për tani, ne po fluturojmë me sy të mbyllur”, thotë për Zërin e Amerikës Tom Frieden, ish drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Pavarësisht lajmeve inkurajuese, këtë javë Shtetet e Bashkuara kaluan shifrën e 500,000 vdekjeve nga koronavirusi. President Biden e shënoi këtë ditë me një ceremoni me ndezjen e qirinjve dhe një moment heshtje në Shtëpinë e Bardhë./VoA