Delegacioni i talibanëve në takimin e 12 shtatorit në Doha të Katarit - Foto: REL/AFP

Bota ua çel derën talibanëve pavarësisht shtypjes ndaj grave

Në pjesën më të madhe të kohës tri vjet pas kthimit të talibanëve në pushtet në Afganistan, shkelja e vazhdueshme e të drejtave të grave i çoi atë drejt qorrsokakut, duke u izoluar nga bota.

Shtetet perëndimore dhe islamike dënuan represionin vazhdimisht në rritje ndaj grave, sidomos kundër shkollimit të vajzave. Mesazhet e zyrtarëve talibanë se sundimi i tyre ishte i etur për t’u angazhuar me botën do të injoroheshin. Deri më sot, asnjë vend zyrtarisht nuk e ka njohur qeverinë talibane si autoritet legal në Afganistan, analizon gazeta “The New York Times”.

Ama, muajve të fundit, erërat politike kanë nisur të ndryshojnë në favor të talibanëve, vlerëson NYT.

Shumë vende kanë nisur t’ua çelin derën diplomatëve talibanë. Disa syresh madje kanë dërguar edhe zyrtarë të lartë në Kabul për të krijuar marrëdhënie diplomatike dhe për të siguruar ujdi tregtare dhe investimesh. Zyrtarët talibanë kanë përfituar lehtësime, duke ua hequr emrat prej listave të ndalimit të udhëtimit. Madje ka pasur diskutime edhe për heqjen e grupit prej listave terroriste ndërkombëtare.

Aktiviteti diplomatik reflekton një ndryshim të sofistikuar, por të rëndësishëm drejt kalimit në normalizim të talibanëve si prijës politikë dhe për të mos i kosnideruar më si kryengritës. Kjo reflekton gjithashtu një konsensus në ngritje në mesin e liderëve tëbotës se qeveria talibane nuk do të mund të bishtnohet.

Cilat shtete po lidhin marrëdhënie me talibanët?

Në janar, Kina u bë vendi i parë që mirëpriti zyrtarisht një diplomat taliban si ambasador të Afganistanit – një titull i rezervuar zakonisht për të dërguarit, vendet e të cilëve njihen zyrtarisht në skenën botërore. Emiratet e Bashkuara Arabe rrahën të njëjtin shteg në gusht.

Shumë ekspertë i vlerësuan lëvizjet si hapjen e shtegut që qeveria e talibanëve të merrte njohje formale përfundimisht nga të dy vendet.

Gjithashtu në gusht, Uzbekistani dërgoi kryeministrin në Kabul. Ishte vizita e huaj e nivelit më të lartë në Afganistan prejse talibanët morën pushtetin. Ministria e Jashtme ruse njoftoi këtë pranverë se Kremlini po shqyrtonte heqjen e talebanëve nga lista e organizatave të caktuara terroriste. Kjo do ta bënte Rusinë vendin e parë që do ta bënte këtë.

Zyrtarët talibanë kanë shënuar fitore edhe në një fushë tjetër beteje politike të kontestuar: misionet diplomatike të Afganistanit në mbarë globin. Pasi qeveria afgane e mbështetur nga SHBA-ja do të rrëzohej në vitin 2021, diplomatët e saj ende drejtonin ambasadat dhe konsullatat e vendit – dhe shpesh lobuan në vendet e tyre pritëse për politika të kundërshtuara nga talibanët.

Ama muajin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme të talibanëve do të njoftonte se rreth 40 ambasada dhe konsullata afgane tani iu përgjigjen qeverisë së saj. Kontrolli mbi ato misione diplomatike sinjalizon autoritetin e qeverisë së talibanëve në Afganistan dhe i jep grupit zë në vendet ku shumë udhëheqës të lartë talibanë nuk mund të vizitojnë për shkak të ndalimeve ndërkombëtare të udhëtimit, shkruan “The Times”.

Po Perëndimi?

Vendet perëndimore kanë prirë në denoncimin e mënyrës së trajtimit të grave nga talibanët, duke shpresuar t’u bënin presion që të hiqnin dorë prej politikave të tyre të ashpra.

Zyrtarët amerikanë kishin shprehur kundërshtimin e tyre të vendosur, duke vendosur edhe vija të kuqe për të drejtat e grave. Madje amerikanët kanë paralajmëruar se nuk do ta shqyrtojnë mundësinë për heqjen e talibanëve nga listat terroriste derisa nuk heqin dorë prej politikave të serta ndaj grave.

Por Shtetet e Bashkuara janë përjashtim. Teksa zyrtarët talibanë e kanë bërë të qartë se nuk do të përkulen para presionit të jashtëm, gjithnjë e më shumë liderë europianë dhe organizata ndërkombëtare duket se po pranojnë kufijtë e ndikimit të tyre dhe po angazhohen në çështjet ku mund të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Në qershor, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara siguruan pjesëmarrjen e talibanëve në një konferencë për Afganistanin duke shtyrë bisedimet për të drejtat e grave. Talibanët më parë kishin refuzuar të merrnin pjesë në dy konferenca të ngjashme të OKB-së.

Muajve të fundit, ambasadat dhe konsullatat afgane në të gjithë Europën janë përballur me presion të shtuar prej vendeve nikoqire për t’iu përgjigjur qeverisë talibane, i kanë thënë “The Timesit” tre zyrtarë të njoftuar për diskutimet.

Ambasadat afgane në Britani dhe Norvegji vendosën të mbyllen muajin e kaluar. Ambasadori në Britani, i cili ishte emëruar nga qeveria e vjetër afgane e mbështetur nga SHBA-ja, do të deklaronte se ambasada po mbyllej “me kërkesë zyrtare të vendit pritës”.

Udhëheqësit e vendeve europiane janë të motivuar të angazhohen me talibanët nga sherri i dy shqetësimeve: se valët e emigrantëve afganë do të mbërrinin në Europë nëse do të kishte trazira në Afganistan dhe se terrorizmi do të mund të buronte nga Afganistani e të arrinte deri në Europë.

Çfarë do të thotë kjo për Afganistanin?

Numri në rritje i pranimit diplomatik ka krijuar mundësi investimesh dhe tregie – injeksione parash “cash”, që duheshin dëshpërimisht pas rënies së qeverisë së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë vitit të kaluar, talibanët kanë lidhur një mori kontraktash për të gërmuar pasurinë minerare të vendit. Kompani private nga rajoni kanë arritur gjithashtu disa ujdi për të ndërtuar infrastrukturën në mbarë Afganistanin – një nyje ndërmjet rrugëve tregtare të Azisë Jugore dhe asaj Qendrore – që do të mund të ringjallnin ekonominë dhe të konsideroheshin suksese për talibanët në mesin e afganëve.

Përqafimi i ri diplomatik ka zbutur edhe presionin për t’i tërhequr kufizimet ndaj grave – një fitore për talibanët, por një goditje e madhe për shumë gra afgane.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com