Tubimi në Tuzla të mërkurën, Foto: BIRN

Boshnjakët protestojnë kundër librit që mohon krimin në Tuzëll

Shumë njerëz u bashkuan në një tubim në Tuzëll të mërkurën për të protestuar në lidhje me botimin e fundit në Serbi të librit “Tuzlla: Një tragjedi e sajuar”, i cili pretendon se forcat serbe të Bosnjës nuk e sulmuan qytetin dhe vranë 71 njerëz në 25 maj 1995.

Protestuesit u zemëruan që libri, i cili u shkrua nga Ilija Brankoviq, një ish-gjeneral i Armatës Popullore Jugosllave, u promovua nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në  Klubin Qendror Ushtarak në Beograd javën e kaluar.

“Gjëja më e keqe është të kuptosh që libri, i cili në mënyrë të ashpër e shfajëson krimin më të madh të luftës në historinë e Tuzllës, ka marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga Qeveria serbe dhe Ministria e saj e Mbrojtjes”, tha Adi Selman i Këshillit Rinor të Tuzllës.

Libri pretendon se zona e hyrjes së Tuzllës nuk u sulmua nga forcat serbe të Bosnjës, siç ka vendosur një vendim gjyqësor, por përkundrazi u shkatërrua nga një pajisje shpërthyese e paravendosur nga të tjerë.

Zineta Hidanoviq, nëna e Alem Hidanoviqit, i cili ishte 15 vjeç kur u vra në sulmin e vitit 1995, tha që institucionet shtetërore si në Bosnje dhe Hercegovinë ashtu edhe Serbi nuk duhet të mohojnë të vërtetën për atë që ndodhi.

“Ne nuk e dimë dhe sa do të jetojmë, por për sa kohë që jetojmë, nuk do t’ju lejojmë të përhapni gënjeshtra”, tha ajo.

Novak Gjukiq, komandanti i luftës i Grupit Taktik të Ozrenit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, për urdhërimin e granatimit u dënua me 20 vjet burg nga gjykata shtetërore boshnjake në prill 2014, por nuk u paraqit për të filluar vuajtjen e dënimit të tij dhe u largua për në Serbi.

Autoritetet boshnjake i kanë kërkuar vazhdimisht Serbisë që të zbatojë vendimin dhe ta detyrojë të arratisurin Gjukiq të vuajë dënimin e tij atje, por gjykata e Beogradit ende nuk ka dhënë ndonjë vendim.

Seancat dëgjimore në këtë çështje janë shtyrë disa herë.

Edin Huriq, kreu i shoqatës “25 maj – Kapija”, tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka ofruar pajtim dhe bashkëpunim për Bosnjë dhe Hercegovinën, por në të njëjtën kohë Beogradi po financon hapur mohimin e krimeve.

“Krimineli i dënuar Gjukiq është i lirë. Serbia po garanton lirinë e tij. Serbia është vendi që mbështeti librin që mohon dhe dhimbjen tonë”, tha Huriq.

Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes serbe për “përhapje të rreme dhe dezinformim” duke organizuar eventin e librit mbi masakrën e Tuzllës.

Ministria u përgjigj duke pretenduar se “çdo përpjekje për një këndvështrim tjetër të luftës civile në Bosnjë dhe Hercegovinë është një krim i madh nëse vjen nga serbët”.

“Serbët kanë qenë viktima të standardeve të dyfishta shumë herë, dhe ende janë, dhe shpesh janë gjykuar, dhe po gjykohen, për krimet e dikujt tjetër”, tha ajo.

Promovimi i librit në Klubin Qendror Ushtarak erdhi dhjetë ditë pasi Ministria e Mbrojtjes serbe organizoi një event në Panairin e Librit të Beogradit për të promovuar një libër të ish-oficerit të lartë të Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviq, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg për krime lufte në Kosovë.