Ilustrim

Boshnjakët kosovarë dhe partitë rome planifikojnë të kundërgodasin lidhur me “mashtrimin elektoral” 

Përfaqësuesit tradicionalë të Boshnjakëve dhe Romëve në Kosovë këmbëngulin se partia kryesore serbe e Kosovës, manipuloi me votën e komuniteteve të tyre në zgjedhjet e fundit – dhe po përgatisin një betejë ligjore lidhur me këtë.

 

Partitë politike tradicionale që përfaqësojnë komunitetet boshnjake dhe rome në Kosovë, thonë se u befasuan kur panë subjekte të reja dhe të panjohura politike të cilat ata i votuan në zgjedhjet legjislative të 14 shkurtit 2021.

Ankesat e tyre kanë rënë në veshin e Prokurorisë së Shtetit, e cila këtë javë u zotua të merret me këtë çështje.

“Për shkak të rëndësisë që ka hetimi si dhe konfidencialitetit të procedurës, ne nuk mund të ndajmë informacionin që kemi pasi kjo mund të dëmtojë hetimin”, ishte deklarat e prokurorisë të bërë të martën.

Kjo deklaratë u bë pasi akuzat për manipulim të votave në favor të subjekteve të veçanta politike, zgjuan vëmendjen e publikut në përgjithësi.

Përfaqësuesit tradicionalë të komuniteteve Rom dhe Boshnjak në Kosovë, si dhe organizatat e shoqërisë civile, pohojnë se ulëset të cilat që përfaqësuesit e tyre të komunitetit fituan në Parlament në zgjedhjet e datës 14 shkurt, ishin rregulluar dhe fabrikuar nga partia serbe, Lista Serbe (LS).

Fakti që partitë fituese rome dhe boshnjake morën shumë nga votat e tyre në komunat me shumicë serbe, rrit dyshimet se këto parti bashkëpunuan me LS, për të marrë sa më shumë vota.

Në një intervistë për BIRN të enjten, presidentja në detyrë Vjosa Osmani zbuloi se ka ngritur shqetësimet e saja me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës në lidhje me ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të datës 14 shkurt.

Ajo i referohet numrit të madh të votave për partitë e pakicave etnike joserbe të Kosovës në komunat me shumicë serbe, duke deklaruar se beson se partitë humbëse në këto zgjedhje, do të apelojnë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa si dhe në Gjykatën Supreme.

“Fatkeqësisht, ndërhyrja nuk mund të reduktohet vetëm në Listën Serbe”, tha Osmani.

“Kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga Vuçiq, dhe ndërhyrja nga një shtet në procesin zgjedhor të një shteti tjetër, në këtë rast të Republikës së Kosovës, është e ndaluar sipas së drejtës ndërkombëtare.

Boshnjakët mendojnë se përfaqësimi i tyre është ‘delegjitimuar’

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, më 22 shkurt vuri në dukje, për shembull, se numri i votuesve boshnjak ishte rritur dukshëm me më shumë se 4,800 sosh brenda vetëm dy vjetësh. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2019, partitë boshnjake fituan 13,710 vota, ndërkohë që në vitin 2021 ky numër rrit në 18,543.

Historia prapa kësaj qëndron aty se një iniciativë e re boshnjake fitoi një numër befasues të votave në komuna ku nuk jeton asnjë boshnjak.

“Ky proces delegjitimon përfaqësimin e komunitetit boshnjak dhe arsyetimin për ulëset e tij të garantuara”, tha ai.

“Kjo gjithashtu është edhe në kundërshtim me frymën kushtetuese kur bëhet fjalë për ulëset e garantuara për komunitetet [pakicat]. Ky fenomeni krijon një precedent për subjektet më të mëdha politike, të cilat në zgjedhjet e ardhshme mund ta tjetërsojnë vullnetin e komuniteteve … duke shpërndarë votat e orientuara nëpër satelitët e tyre [politikë]”, shtoi Kryeziu.

Kryeziu i referohej fitores së befasishme të partisë “Ujedinjena Zajednica” (Komuniteti i bashkuar) – Adrijana Hoxhiq, një iniciativë qytetare e krijuar së fundmi, e cila fitoi shumicën e votave të komunitetit boshnjak.

Në garën e saj të parë në zgjedhje parlamentare, Hoxhiq mori 6,379 vota, duke i lënë ish-deputetët nga komuniteti boshnjak shumë prapa si dhe jashtë parlamentit.

Megjithatë, Hoxhiq mori shumicën e votave të saj në komunat me shumicë serbe, kryesisht në pjesën veriore të Kosovës të udhëhequr nga serbët.

Në Leposaviq, ajo mori 1,129 vota kurse në Mitrovicën e Veriut 1,780. Ajo gjithashtu mori 494 vota në Shtërpcë, si dhe 407 dhe 405 në Zubin Potok përkatësisht në Zveçan.

Ajo mori vetëm rreth 225 vota në pjesën jugpërendimore të Prizrenit, e cila, sipas regjistrimit të popullsisë 2011, është vendbanimi i mbi 16,000 boshnjakëve.

Në një intervistë për emisionin KallxoPernime të BIRN në Kosovë, Hoxhiq i ka mohuar akuzat për montimin e votave, duke pretenduar se ajo mori shumë vota nga komuniteti serb për shkak të punës së saj në bashkëpunimin ndëretnik në Mitrovicën e Veriut të udhëhequr nga serbët, ku ajo mban pozitën e nënkryetares së komunës.

Komuniteti rom po ashtu ndjehet i mashtruar

Komuniteti rom ngjashëm ndjehet i dëmtuar nga ajo që e konsideron si një mashtrim të ndytë të zgjedhjeve.

Iniciativa Rome, një iniciativë e re që garon për katër ulëset e rezervuara për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, mori 3,827 vota, duke dalë e para nga nëntë njësi që garojnë për vendet.

Pritet që të fitojë edhe ulësen e rezervuar për romët si dhe një ulëse shtesë që shkon në partinë më të votuar nga tri komunitetet e tjera.

Iniciativa Rome fitoi gati gjysmën e votave të saj të përgjithshme në komunën me shumicë serbe të Graçanicës – 1,620.

Kjo iniciativë fitoi edhe 287 vota të tjera në komunat kryesisht serbe Ranillug dhe Partesh, edhe pse OSBE në viti 2018 kishte vlerësuar se këto komuna nuk kanë banorë rom.

Iniciativa Rome gjithashtu mori 244 vota në Leposaviq – e cila është shtëpia e vetëm nëntë banorëve nga komunitetet Rom dhe Ashkali, thotë i njëjti vlerësim nga OSBE.

Në total, Kosova ka vetëm rreth 2,000 qytetarë rom.

“Është shpatë me dy tehe”, tha Osman Osmani, aktivist i cili drejton një OJQ që merret me problemet e komunitetit Rom në Prizren.

Kjo sepse kalimi i votave tek partitë që përfaqësojnë komunitetet e tjera nuk është në të vërtetë i paligjshëm në Kosovë.

“Nëse i referohemi legjislacionit, çdokush ka të drejtë të votojë për çdo subjekt politik në fletëvotim, kështu që nëse e shikojmë në këtë mënyrë, gjithçka është në rregull”, vërejti Osmani.

Osmani shtoi se në Graçanicë, ku nuk ka më shumë se 500 votues nga komuniteti Rom, Iniciativa Rome ka fituar numër të jashtëzakonshëm prej 1,500 votash atje.

“Është jologjike që një iniciativë e sapo krijuar të admirohet aq shumë midis votuesve”, komentoi ai.

“Kishte disa paralajmërime [në lidhje me manipulimet e votës] por nuk prisja që të orkestrohej aq mirë”, vazhdoi Osmani.

Gazmen Salijeviq, kandidat për deputet nga radhët e Iniciativës Rome, i mohoi pretendimet për bashkëpunim me Listën Serbe.

“Nuk kemi të bëjmë asgjë me Listën Serbe”, deklaroi ai për BIRN. “Nuk kemi asnjë marrëveshje dhe asnjë kontakt me Listën Serbe”.

Salijeviq këmbënguli që nisma e tij kishte marrë vota nga i gjithë vendi dhe në të 36 komunat.

“Midis votuesve tanë ka rom, shqiptar, serb …” tha ai, duke përmendur bastione të tilla shqiptare si Malisheva dhe Hani i Elezit.

Megjithatë, sipas KQZ-së, Iniciativa Rome mori saktësisht shtatë vota në Malishevë dhe vetëm një në Han të Elezit.

Salijeviq po ashtu mohoi që ndonjë deputet rom do t’i bashkohet grupit parlamentar të Listës Serbe.

“Jo, jo, e them 100 herë, jo. Ne nuk kemi asnjë lidhje me Listën Serbe”, tha ai, duke shtuar se iniciativa e tij do të punojë me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve jo-shumicë etnike jo-serbe të Kosovës.

Democracy Plus, një organizatë e pavarur me qendër në Prishtinë, tha se ishte befasuese se si dy iniciativat e reja kishin pasur sukses aq mirë brenda një kohe kaq të shkurtër qyshkur u themeluan.

“Ulëset e garantuara për komunitetet u prezantuan për të siguruar që komunitetet të gëzojnë përfaqësim efektiv në Parlament, jo si një mjet për një komunitet tjetër për të zgjeruar ndikimin e tij deri në masën që shtrembëron vullnetin e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë”, thotë kjo organizatë.

Mosmarrëveshja nuk do të ndikojë në planet e Kurtit

Në total, 20 nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për komunitetet joshqiptare – 10 për serbët dhe 10 për komunitetet e tjera – rom, ashkali, egjiptianë, boshnjakë, turq dhe goran.

Duda Balje, kandidate për deputete nga partia Bashkimi Social Demokratik Boshnjak, (Socijaldemokratska unija (SDU), ka deklaruar për ‘TV Dukagjini’ se qëllimi i Listës Serbe ishte të kontrollonte të paktën dy të tretat e atyre ulëseve të rezervuara.

Me rezultatet preliminare tashmë të njohura, Balje e ka parë veten jashtë Parlamentit pas disa mandateve duke i shërbyer komunitetit të saj si deputete.

“Kemi përgatitur gjithçka që duhet për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor, Gjykatën Supreme dhe madje edhe Gjykatën Kushtetuese. Jemi në pritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare përpara se ta parashtrojmë ankesën tonë”, tha Balje të mërkurën.

“Mirëpo institucionet shtetërore duhet t’i përgjigjen kësaj situate fillimisht sepse si komunitet nuk e kemi atë fuqi”, tha ajo.

Balje ishte e para që zbuloi planin e pretenduar të partisë serbe të Kosovës dy javë para zgjedhjeve kur ajo parashikoi në emisionin televiziv të BIRN se disa vota të banorëve serb nuk do të shkonin në Listën e Serbe por në Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq dhe Iniciativa Rome.

Disa politikanë serbë të Kosovës janë pajtohen me këtë. Nenad Rashiq, kreu i Partisë Demokratike Progresive, e cila kundërshton Listën Serbe, tha se ai nuk është aspak i befasuar me atë që ndodhi me votat boshnjake dhe rome.

“Unë i njoh metodologjitë që përdor Lista Serbe dhe regjimi i Beogradit dhe ky është vetëm fillimi i ambicieve të tyre ndaj institucioneve të Kosovës”, u citua Rashiq të thoshte për Kossev, një portal lajmesh në gjuhën serbe me qendër në Mitrovicën e Veriut.

Një nga udhëheqësit e Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, i cili shërbeu si ministër për Komunitete dhe Kthim në qeveri, i quajti pretendimet e Rashiqit “hipokrizi dhe vetë-projeksion”.

“Ai iu drejtua shqiptarëve në fushatën elektorale dhe u kërkoi atyre të votojnë për të në mënyrë që ta shkatërrojë Listën Serbe, “shkroi Jevtiq në Tëitter, duke e quajtur Rashiqin “një lojtar që bën lajka me shqiptarët”

Sidoqoftë, kjo mosmarrëveshje nuk ka gjasa të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve të 14 shkurtit, pasi partia kryesore fituese, Vetëvendosje, fitoi me një rezultat të madh duke marrë 47.85 për qind të votave të hedhura.

Prandaj, është në linjë të mbajmë të paktën 55 nga 120 ulëset në parlament, vetëm gjashtë më pak se një shumicë absolute.

Vetëvendosje gjithashtu mund t’i rrisë ulëset e saj në Parlament me votat e diasporës, të cilat pritet të numërohen.

“Numri i ulëseve të Vetëvendosjes e vë atë në një pozitë të favorshme pasi i nevojitet vetëm një numër i vogël votash shtesë”, tha për BIRN Valmir Ismaili, kreu i organizatës Democracy Plus.

Ai tha se pozicioni i favorshëm negociues i Vetëvendosjes do të thotë se mund t’i “neutralizojë” shumë prej “kërkesave që partitë politike nga pakicat mund t’i kenë”, duke shtuar: “Në të kaluarën, ka pasur kërkesa të paarsyeshme dhe joreale”.

Rreziku është evident më shumë për vetë komunitetet pakicë. Gjatë më shumë se dy dekadave të kaluara qyshkur Kosova ka filluar pluralizmin politik, përfaqësuesit e romëve kanë qenë besnikë ndaj institucioneve të Kosovës.

Osman Osmani ka frikë se tani kjo mund të ndryshojë.

“Kjo situatë mund të ndikojë në sigurinë e komunitetit rom”, tha ai. “Ata mund të lihen në një pozitë të palakmueshme dhe të etiketohen si bashkëpunëtorë me dikë tjetër”, shtoi ai, duke iu referuar Listës Serbe.

“Komuniteti rom dëshiron të jetë pjesë e Kosovës dhe të kontribuojë”, vazhdoi ai. “Nëse përfaqësuesit e tyre të ardhshëm bëhen instrumente të Listës Serbe, kjo do të paraqesë problem për komunitetin”.

https://balkaninsight.com/2021/02/26/kosovos-bosniak-roma-parties-plot-fightback-over-election-trick/