Borxhi mbi 30 milionë euro përplas ish-drejtorin me u.d. drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Mbi 30 milionë euro ka shkuar borxhi i Fondit i Sigurimeve Shëndetësore që nga themelimi i tij në vitin 2014. E buxheti për këtë vit për Fondin është 8 milionë euro.

Në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ekziston një program i veçantë i cili mbulon shpenzimet e shërimit jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend për të gjithë qytetarët që kanë nevojë.

Programi për trajtim jashtë vendit ka ngjallur shumë diskutime gjatë vitit të kaluar pas publikimit të disa hulumtimeve gazetareske, ku thuhej se kishin ndodhur keqpërdorime me paranë publike.

Pikërisht për këtë temë po diskutohet në emisionin “Kallxo Përnime”.

Bujar Kaçuri, ushtrues detyre i drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ka thënë se borxhi i deklaruar në Ministrinë e Financave është mbi 30 milionë euro.

Ai ka shtuar se shkaku i këtyre borxheve, bordi i Fondit ka marrë vendim që të shkarkojë ish-drejtorin Fatmir Plakiqi.

“Një pjesë e këtij borxhi është real d.m.th. i saktësuar në bazë të vendimeve ndërsa pjesa tjetër është i evidentuar në bazë të fletë-zotimeve. Borxhi i saktë do të dihet atëherë kur pacientët i kryejnë trajtimet e tyre ndërsa ato fletë-zotime kthehen në vendime. Fletë-zotimi është një garancion, të cilin e lëshon drejtori i Fondit, në të cilën thuhet se Fondi mbulon shpenzimet për pacientin në bazë të kritereve të dala nga udhëzimi administrativ, për disa kategori mbulohen 70% e vlerës së profaturës ndërsa në rastin tjetër mbulohet në bazë të çmimit referent. Ndërsa aprovimi i shumës është kompetencë e bordit ekzekutiv për trajtim jashtë vendit” – ka thënë Kaçuri.

Por, ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar ish-drejtori i Fondit, Fatmir Plakiqi.

Ai ka mohuar se borxhi prej rreth 30 milionë eurove është krijuar gjatë kohës sa ishte në krye të institucionit.