Foto: Aleksandër Vuçiq - Twitter

Borrell viziton Serbinë, shpreson në rifillim të dialogut

Pas vizitës në Kosovë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka nisur vizitën e tij në Serbi.

Sapo mbërriti në Beograd, Borrell  u prit nga ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, raporton Tanjug.

Ndërkaq, pasi takoi edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, shefi i diplomacisë evropiane foli edhe për Kosovën.

Ai tha se SHBA-ja është e fuqishme por se e vetme nuk mund ta sjell Kosovën në Bashkimin Evropian.

“Ka edhe vende të tjera, jo vetëm vendet e BE-së, por edhe Kina, Rusia, India. Dhe ata po pyesin veten dhe unë mendoj se të gjithë e kuptojnë se Kosova ka nevojë të njihet nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare”, tha ai.

Borrell ka shtuar se shpreson që dialogu Kosovë-Serbi  të vazhdojë së shpejti.

“Shpresoj se kjo do të ndodhë së shpejti. Kur kjo të ndodhë, BE do të jetë e gatshme të vazhdojë të ndërmjetësojë në dialog”, theksoi ai.

Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se ideja për kompromis me Prishtinën ka vdekur.

“Vite më parë, ne kishim një shans për të bërë kompromis me Prishtinën, por se kjo ide ka vdekur. Serbia është e gatshme të bisedojë me Prishtinën për të gjitha çështjet thelbësore, pas heqjes së taksës”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Një ditë më parë, gjatë vizitës në Kosovë, Borrell tha se BE-ja ka qenë  shumë e  angazhuar në Kosovë dhe se kanë shpenzuar më shumë se 1 miliard euro për Kosovën.

“Ne kemi arritur të krijojmë një strukturë të mirë të infrastrukturës me mbi 150 milionë euro investime, por unë nuk po bëj garë me amerikanët. ShBA-të dhe BE-ja duhet të punojnë bashkërisht në arritjen e  qëllimeve të përbashkëta. Ne do të punojmë së bashku, nuk do të ketë diferenca mes neve që të zgjidhim problemet”, tha përfaqësuesi i lartë.

Borrel shtoi se BE-ja është shumë e kyçur në dialogun mes të dyja vendeve.

Borrell me mesazh për Amerikën pas marrëveshjeve për linjën ajrore e hekurudhore Prishtinë-Beograd