Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell uron Kurtin: Dialogu është thelbësor për rrugëtimin europian të Kosovës

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell e ka uruar Albin Kurtin pas ardhjes së tij në krye të ekzekutivit.

Borrell ia ka përmendur Kurtit dialogun me Serbinë si një ndër çështjet kryesore për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Urime kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti. Presim të punojmë së bashku për ta sjellë dialogun Beograd-Prishtinë në një mbyllje të suksesshme. Kjo është thelbësore për rrugëtimin europian. BE mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Qeveria e Albin Kurtit u votua dje, më shumë se një muaj nga fitorja me mbi 50% të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.