Borrell tregon se për çka u dakorduan Kosova dhe Serbia në takimin e sotëm

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell është deklaruar në një konferencë për media në lidhje me detajet e takimit trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell tha se Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb.

Ai shtoi se palët janë pajtuar të miratojnë deklaratën për personat e pa gjetur siç është negociuar në dialog.

“Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Palët janë pajtuar të miratojnë deklaratën për personat e pa gjetur siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si si një çështje urgjente”- ka deklaruar Borrell.

Shefi i diplomacisë tha se kanë propozuar “një aneks më të ambicioz dhe më të detajuar fatkeqësisht palët nuk kanë arritur një pajtim në atë verzion më të hollësishëm”.

“Më duhet të theksoj se fillimisht kemi propozuar një aneks më të ambicioz dhe më të detajuar fatëkeqësisht palët nuk kanë arritur një pajtim në atë version më të hollësishëm. Në njërën anë besoj sepse njëra palë, Kosova nuk ka pasur fleksibilitet dhe në anën tjetër Serbia ka theksuar në parim që të mos nënshkruaj edhe pse është pajtuar se do ta implementoj”- tha Borrell.

“Për të shmangur rrethana të tilla kemi bërë një numër propozimesh edhe sa i përket nënshkrimit edhe sa i përket përmbajtjes por palët nuk arritën pajtimin mbi atë propozim. Aneksi apo marrëveshja konsiderohet e miratuar me një deklaratë që do të publikohet”- shtoi ai.

Borrell më tej tha se do t’i njoftojë ministrat dhe liderët e BE-së për këto bisedime dhe për angazhimin e palëve për të zbatuar plotësisht dhe shpejtë detyrimet e tyre.

“Ky dialog duhet të shihet në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, me qëllimin e ruajtjes së stabilitetit dhe paqes në rajonin më të gjerë të Ballkanit. Ndërsa të hënën, ministrat e jashtëm do të takohen në Bruksel dhe liderët e BE- do të takohen të enjten dhe të premten, do ti njoftoj për këto bisedime dhe për angazhimin e palëve për të zbatuar plotësisht dhe shpejtë detyrimet e tyre”- është shprehur Borrell.

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.