Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: Të shtensionohet menjëherë situata në veri

Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell ka thënë se dënon dhunën në Zveçan në termat më të ashpër të mundshëm.

Sipas tij, veprat e dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë të papranueshme.

“BE-ja dënon dhunën tronditëse të sotme në Zveçan në termat më të ashpër të mundshëm. Veprat e dhunshme të kryera ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme” – ka shkruar Borrell në Twitter.

Shefi i diplomacisë së BE-së, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës dhe protestuesit, që të shtensionojnë menjëherë situatën.

“BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që menjëherë dhe pa kushte të shtensionim situatën. Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes Dialogut”- thuhet në reagimin e Borrell.

Në Leposaviq dje gjatë tërë ditës ka pasur tensione në mes protestuesve dhe forcave të KFOR-it.

Këta të fundit kanë paralajmëruar të paktën dy herë protestuesit që të largohen por të njëjtit kanë refuzuar.

Ndërkaq në Zveçan ka pasur përleshje në mes KFOR-it dhe protestuesve. Si pasojë të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Protestuesit kanë hedhur mjetë shpërthyese në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.

Veturat e ekipit të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini janë dëmtuar të hënën në mesditë nga persona të panjohur në Leposaviq.

Veturave u janë shpërthyer gomat dhe janë vizatuar simbole nacionaliste serbe.

Më pas, ekipi i KALLXO.com i përbërë nga Adelinë Ahmeti, gazetare dhe Afrim Ejupi, kameraman, ka paraqitur rastin e dëmtimit të veturës në komunën e Leposaviqit.

Situata në veri – Pamje