Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: Propozimi ynë u pranua nga Vuçiqi, por jo nga Kurti

Kryediplomatit evropian, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.

Ai ka thënë se në takimin në Bruksel nuk është arritur marrëveshje.

“Pas shumë orësh diskutimi, të dyja palët nuk arritën në një zgjidhje sot” – tha Borrell.

Në Bruksel, pas disa orësh ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i thirrur urgjentisht për çështjen e targave ilegale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende nuk është deklaruar për takimin mes presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa Vuçiq para mediave tha se “Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”.

Sipas presidentit serb, pala serbe është treguar konstruktive në këtë takim.

Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

Fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Borrell mbrëmë ka thënë se është i nevojshëm de-përshkallëzimi i situatës dhe fillimi i avancimit drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.