Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian , Josep Borrell - Foto: Facebook

Borrell për takimin me Kurtin dhe Vuçiqin: Kemi nevojë për de-përshkallëzim të situatës

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka konfirmuar se nesër do të thërrasë një takim urgjent me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kështu ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter.

“Unë do të thërras nesër një takim urgjent të Dialogut Beograd-Prishtinë me Kryeministrin, Albin Kurti dhe me Presidentin, Aleksandar Vuçiq”- shkruan Borrell.

Ai ka thënë se është i nevojshëm de-përshkallëzimi i situatës dhe fillimi i avancimit drejt normalizimit të marrrëdhënieve.

“Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”- shtoi Borrell.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të hënën do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas njoftimit të BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak.

Fillimisht, Borrell do të pret Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me Kurtin.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor për televizionin Prva.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës më herët njoftoi se gjobitja e pronarëve të mjeteve që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale do të fillojë më 22 nëntor dhe jo më 21 nëntor, ashtu siç parashihej në vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.