Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell për situatën në veri: BE ka bërë një propozim për të dalë nga kriza

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim për zgjidhjen e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell kështu deklaroi para takimit të ministrave të BE-së, i cili do të mbahet sot.

“Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë” – tha Borrell.

Borrell tutje iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të respektojnë angazhimet për zbatim të marrëveshjeve.

“U bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara për të cilat kanë rënë dakord shumë vite më parë” – tha tutje ai.

Ai tha se në këtë takim do të diskutohet çështja e Ballkanit Perëndimor.

Situata në veri të Kosovës do të jetë temë diskutimi në takimin e sotëm të Këshillit të Ministrave të BE-së në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të raportojë për zhvillimet e fundit dhe gjendjen aktuale në pjesën veriore të Kosovës, para ministrave të BE-së.

Punimet e Këshillit do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera. Takimi fillon në ora 10:00 dhe mbahet në Bruksel.

Borrell do të raportojë para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian edhe për takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Paris.

Borrell ka zhvilluar të premten takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Borrell në këto takime ka theksuar se serbët e Kosovës duhet të kthehen nëpër institucione dhe se Kosova duhet të harmonizojë veprimet e saj në lidhje me targat dhe të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit.