
Borrell pas takimit me Kurtin: Djegia e makinave e papranueshme, ftojmë të gjithë për përmbajtje
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, pas takimit më kryeministrin Albin Kurti ka dënuar djegien e veturave të qytetarëve serbë që kanë konvertuar veturat e tyre nga ato ilegale në RKS.
Borrell përmes një postimi në Twitter ka bërë thirrje për përmbajtje.
“U diskutua për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të veprojnë me përmbajtje” – ka shkruar ai.
Borrell po ashtu ka thënë se në këtë takim të mbajtur në margjinat e procesit të Berlinit është diskutuar për rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Good to meet PM @albinkurti ahead of #BerlinProcess
Discussed the situation in north of Kosovo. Disruptive actions, such as burning of cars, are unacceptable
Dialogue agreements must be respected. Call on all to act with restraint
We also discussed way forward on normalisation pic.twitter.com/I4fdzD12Fm
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) November 3, 2022
Dje, Policia e Kosovës kishte njoftuar se një qytetari serb i është djegur vetura me targa RKS në orët e para të mëngjesit në Komunën e Zubin Potokut.
Në lidhje me këtë rast, ka reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturave RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale. ” – ka shkruar Hovenier.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mori një vendim me të cilin përfshiu një periudhë prej 5 muajsh deri në kohën kur vendosja e tabelave me RSK për veturat që qarkullojnë me targa ilegale do të bëhet e obligueshme.
Fillimisht qeveria vendosi që për 21 ditë të bëhej qortimi i qytetarëve të cilët posedonin vetura me targa ilegale, pas kësaj mase për dy muaj të tjerë do të ketë gjobitje, e më pas targa provuese.
Në fletë-qortimet që do tu shqiptohen qytetarëve me tabela ilegale përmendet edhe fakti se të njëjtit udhëzohen që t’i regjistrojnë veturat e tyre në qendrat e regjistrimit të automjeteve.
Masat e fundit të marra në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar Kryeministri Albin Kurti i quajti “seriozitet të qeverisë për të zbatuar vendimin”, por edhe pas “ndjeshmërisë së shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.