Borrell paralajmëron takim Kurti-Vuçiq para verës

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas një takimi në Bruksel, ku morën pjesë edhe kryediplomatët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi tha se duhet të krijohet besim mes palëve të ulura në tavolinë.

“Duhet angazhim konstruktiv dhe progres në dialogun për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, secila palë pajtohet me këtë, por kur ulen bashkë është e vështirë për të avancuar. Ne duhet të krijojmë besim mes palëve, është esenciale që të përmirësohet atmosfera në dialog”, theksoi ai.

Shefi i diplomacisë evropiane tha që një takim i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq mund të ndodhë para verës.

“Ne shpresojmë që para verës ne do të jemi në gjendje të mbajmë një tjetër takim mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, tha ai.

Po ashtu, Borrell ka thënë se BE mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën”, shtoi ai.

Deri më tani në Bruksel në nivel kryenegociatorësh mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar disa takime, ndërsa në nivel të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë zhvilluar vetëm dy takime.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.