Borrell nis takimin me Hotin para takimit trepalësh

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tashmë është duke zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet bilaterale do të pasohen me një takim të përbashkët.

“Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kryeson takimin e dytë të nivelit të lartë të Dialogut të Prishtinës dhe Beogradit, shtete këto të përfaqësuara nga Aleksadar Vuçiq, president i Serbisë dhe Avdullah Hoti, Kryeministër i Kosovës*”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.

Hoti dhe Vuçiq po zhvillojnë sot një raund të ri bisedimesh në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Javën e kaluar, në Shtëpinë e Bardhë, Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Në këtë aspekt, dokumentet për të cilat është rënë dakord së voni në Uashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të palëve lidhur me dialogun, mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratën e lëshuar të hënën nga BE-ja.

Në Bruksel, në takimin e sotëm trepalësh, siç kanë paralajmëruar edhe burimet e BE-së, edhe vetë palët në dialog, pritet të arrihet pajtim për tri temat për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme ekspertët.

Ato janë: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.

Burimet e BE-së kanë paralajmëruar më parë se në këtë takim mes kryeministrit të Kosovës, Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, do të diskutohen edhe temat e kërkesave financiare e pronësore mes palëve, si dhe çështjet e lidhura me komunitetet joshumicë në Kosovë.

Hoti, edhe para këtij takimi në Bruksel, ka thënë se të vetmen marrëveshje të suksesshme e sheh atë që rezulton me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.

Për këto tema është diskutuar në Bruksel edhe të shtunën e të dielën, në nivel të ekspertëve.

Pas këtyre takimeve, koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka pasur përafrim të qëndrimeve dhe se mund të ndodhë që të arrihet pajtim.

Por, Hyseni ka thënë se secila temë mund të jetë vëtëm pjesë e një marrëveshjeje të vetme finale, e jo marrëveshjeje individuale.

Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ndërmjetësues të marrëveshjes për normalizim ekonomik ishin këshilltari për Siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i presidentit Trump për dialgoun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes së 4 shtatorit, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Në një konferencë për media të premten, më 4 shtator, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, Richard Grenell ka deklaruar se pika 10 e marrëveshjes, e cila ka pasur të bëjë me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, “është në agjendë të hënën në Evropë”.

“Kështu, të hënën, ajo çështje do të trajtohet në detaje në Bruksel. Dhe kështu u ndjeva i sigurt se ne mund të lejonim këtë – dhe të punojmë me evropianët për këtë çështje. Dhe prandaj është hequr”, ka thënë Grenell.

Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Mattheë Palmer.

Këto takime, në të cilat kanë marrë pjesë dy diplomatë të lartë nga BE-ja dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, konsiderohen si dëshmi për një angazhim më të madh të SHBA-së në dialogun e Brukselit, por edhe si mbështetje për rolin udhëheqës të BE-së, si lehtësuese e dialogut në aspektin politik dhe në kërkim të marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.