Shefi për diplomaci i bllokut evropian, Josep Borrell.
Borrell mirëpret vendimin e Sekretarit të NATO-s për dislokimin e 700 trupave shtesë në Kosovë
Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se e mirëpret vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për dislokimin e 700 trupave shtesë në Kosovë.
Borrell shprehet se do të vazhdojnë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in.
“E mirëpres vendimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për dislokimin e 700 trupave shtesë në Kosovë . Ne do të vazhdojmë bashkërendimin dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë me KFOR-in duke përfshirë edhe misionin tonë EULEX. Qetësia duhet të rivendoset tani”- ka shkruar Borrell.
I welcome #NATO SG @jensstoltenberg’s decision to deploy additional 700 troops to #Kosovo.
We will continue our close coordination and cooperation with @NATO_KFOR including through our @EULEXKosovo mission.
Calm must be restored now.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) May 30, 2023
Stoltenberg sot ka folur në lidhje me situatën në veri të vendit duke deklaruar se sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.
Stoltenberg ka theksuar se dhuna kthen Kosovën prapa e po ashtu të gjithë rajonin dhe i vendos në rrezik aspiratat euroatlantike teksa shton se Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të shtensionuar situatën.
”Dhuna kthen Kosovën prapa e po ashtu të gjithë rajonin dhe i vendos në rrezik aspiratat euroatlantike. Të dyja, Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të shtensionuar situatën, të përmbahen nga sjellja e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, që është e vetmja mënyrë për një paqe të qëndrueshme”- ka deklaruar Stoltenberg në një konferencë për media.
Sekretari tha se dënon ashpër sulmet e paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it dhe ka thënë si të tilla duhet të ndalen.
“Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa më shumë nga forcat e shërbimit operacional për Ballkanin Perëndimor dhe të vendoset një batalion shtesë mbi forcat e shërbimit në gatishmëri të lartë në mënyrë që ato të mund të dislokohen nëse është e nevojshme. Këto janë veprime të matura që sigurojnë që KFOR-i ka forcat dhe kapacitetin që i duhet për të përmbushur mandatin e tij”- shtoi ai.
Gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit, konfirmoi misioni i KFOR-it të martën.
Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.
Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.
Gjatë së hënës, protestuesit serbë u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Policia e Kosovës njoftoi se ka arrstuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.