Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto:REL

Borrell mirëpret qëndrimin e Vuçiqit për propozimin e BE-së për dialogun

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka mirëpritur qëndrimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rreth propozimit evropian që parasheh rrugën përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell i ka bërë këto deklarata pas takimit me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në Bruksel.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti nevojën për të kapërcyer menaxhimin e përhershëm të krizës, dhe për këtë arsye priste angazhim konstruktiv në propozimin e fundit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Ai e ka vlerësuar pozitivisht ndërhyrjen publike të Presidentit Vuçiq për këtë çështje dje”- thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian.

Borrell i është referuar deklarimit që Vuçiq bëri dje para kombit, ku tha se zyrtarët evropianë dhe amerikanë kanë ardhur me planin e ri.

“Ky plan nuk thotë në mënyrë eksplicite njohjen e subjektivitetit të Kosovës por përfshin disa përgjegjësi” – tha ai.” – shtoi ai, duke theksuar se pala serbe nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë plan.

Presidenti serb sqaroi se pesë diplomatët evropianë e amerikanë në fjalinë e dytë që i është kumtuar i është thënë se “duhet të pranoni” (planin).

Vuçiq theksoi se i është thënë se nëse Serbia nuk e pranon planin do të ballafaqohet me ndërprerje të negociatave për anëtarësim në BE, investimet dhe çdo marrëveshje ekonomike e politike me Evropën.

Sipas BE-së, Borell sot në takim me ministrin serb, ka kërkuar sërish që Kosova dhe Serbia të zbatojnë obligimet e dialogut.

“Përfaqësuesi  e Lartë më tej nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e Dialogut në pritje, duke përfshirë themelimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe”- thuhet në njoftim.

Propozimi franko – gjerman është përmendur për herë të parë më 8 tetor, nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas presidentit serb Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Plani franko-gjerman ose i Bashkimit Evropian, çka dihet deri tani?