Borrell mirëpret marrëveshjen, kërkon angazhim konstruktiv për përparim të shpejtë

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell ka kërkuar më shumë angazhim nga Kosova dhe Serbia për normalizimin e marrëdhënieve.

“E mirëpres arritjen e marrëveshjes mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, të lehtësuar nga emisari Miroslav Lajçak, për të zgjidhur tensionet në veri të Kosovës. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejt drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat.

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

-Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Ja çka përmban marrëveshja për targat e arritur sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë