Josep Borrell - Foto: REL

Borrell me deklaratë për situatën e krijuar në veri të Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shmangin çdo veprim, siç ka thënë ai, të njëanshëm.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së përmes një deklarate të veçantë deklaroi se kërkojnë një qasje të përgjegjshme nga të dy palët.

Komentet e Borrellit vijnë pas zhvillimeve në veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë kosovare për zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë sa i përket targave të përkohshme për automjetet me targa serbe.

Vendimi ka filluar të zbatohet që nga e hëna në mëngjes, ndërsa si rezultat i kësaj mase qytetarë serbë të Kosovës kanë bllokuar rrugët që shpien për në dy pikat kufitare veriore, atë në Jarinjë dhe në Bërnjak.

“Bashkimi Evropian bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm në veri të Kosovës. Çdo provokim ose veprim i njëanshëm duhet të shmanget pasi ato do të shkonin drejtpërdrejt kundër interesave të njerëzve të rajonit”, thuhet në deklaratën e Borrellit.

“Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes në Beograd dhe Prishtinë të kenë një qasje të përgjegjshme dhe të punojnë përmes dialogut të lehtësuar nga BE për të shmangur ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm, për të rivendosur një atmosferë paqësore dhe për të punuar në zgjidhje të zbatueshme. Është në interesin e të gjithëve të kërkojnë një rrugë përpara që mundëson lirinë e lëvizjes dhe që përmirëson jetën e përditshme të njerëzve”, vijon deklarata zyrtarit të BE-së.

Në fund, ai ka thënë se e vetmja zgjidhje është dialogu i ndërmjetësuar nga BE. Ndërsa, ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë mbeten e vlefshme.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, dhe ne i nxisim fuqimisht të dyja palët që ta përdorin plotësisht atë”, deklaroi të mërkurën Borrell.

“Theksojmë edhe një herë se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE që nga fillimi i tij në 2011 mbeten të vlefshme dhe detyruese për të dyja palët. Marrëveshjet e kaluara formojnë një element të rëndësishëm për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. BE dhe shtetet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet në fund të deklaratës së Josep Borrell.