Borrell insiston që grumbullimi i votave për referendumin e Serbisë në Kosovë të bëhet nga OSBE

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, edhe një herë insistoi që qytetarët serb të Kosovës që kanë të drejtë vote ta kenë mundësinë që ta shfrytëzojnë këtë drejtë në referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi i cili pritet të mbahet më 16 janar 2022.

Borrell përmes një postimi në twitter tha se OSBE mund të asistoj në grumbullimin votave dhe lehtësimin e procesit.

“Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Mbajtja e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës është kundërshtuar nga qeveria e Kosovës. Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se një referendum i tillë “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.

Kurti ka ofruar dy opsione sipas të cilave qytetarët serb në Kosovë mund të marrin pjesë në referendumin në Serbi.

“Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, ka shkruar dje Kurti në twitter.