Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: I lumtur për tejkalimin e vështirësive në veri të Kosovës, dialogu të vazhdojë

Përfaqësuesi i Lartë Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se është i lumtur që janë tejkaluar vështirësitë në veri të Kosovës, në lidhje me temën e targave.

Gjatë Samitit të BE-Ballkani Perëndimor, Borrell ka theksuar se tash duhet të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i lumtur të shoh se ditëve të fundit kemi tejkaluar disa vështirësi në kufi, në veri të Kosovës. E tani duhet të vazhdojmë me procesin e dialogut, për të zgjidhur problemet mes vendeve kandidate. Në rrugën drejt Evropës, diferencat duhet të mbeten anash dhe të vazhdohet me reforma”, tha ai para mediave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor do të takojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi mes Kurtit Vuçiqit do të mbahet me prezencën edhe të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Takimi i tyre vjen pas zhvillimeve të fundit rreth targave të veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor po takohen sot në Brdo të Sllovenisë në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2021.

Pas gati dy javësh bllokim të pikave kufitare Kosovë-Serbi në Bërnjak dhe Jarinje, është arritur një marrëveshje në mes palëve rreth çështjes së targave të veturave.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR nga e shtuna më 2 tetor nisi të zëvendësojë Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe do të qëndrojë për dy javë pranë pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Po në këtë ditë, u larguan largohen edhe kamionët me serbët që kishin bllokuar rrugët. Ndërkaq nga 4 tetori, filloi përdorimi i stikerave/afisheve në vetura. Më 20 shtator 2021 Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë. Ky vendim ngjalli reagimin e serbëve që protestuan duke bllokuar rrugët.